Përurohet objekti i banimit social në Stantërg të Mitrovicës

Mitrovicë, më 16 shkurt 2018
 
Është përuruar objekti i banimit social në Stantërg të Mitrovicës i cili do të shërbejë për 17 familje me kushte të rënda sociale. Objekti është financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kap shumën prej 294 mijë euro, ndërkaq Komuna e Mitrovicës ka ndarë parcelën dhe do të bëjë shpërndarjen e këtyre banesave për 17 familje.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli si dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se ndihet i lumtur që sot këto 17 familje përfituese nuk do të jenë më jashtë, por do të kenë një kulm mbi kokë dhe do të gjejnë sërish ngrohtësinë e shtëpisë, që iu ka munguar për shumë vite.
Ministri tha se MPMS ka realizuar edhe projekte tjera të ndërtimit me karakter social, si ndërtimi i 10 shtëpive për familjet në nevojë në Podujevë dhe blloku i banimit për rastet sociale me 25 apartamente në Kaçanik dhe u zotua se brenda këtij mandati qeverisë, do të vazhdojë edhe me projekte tjera të tilla në mënyrë që të mos ketë më asnjë familje të pastrehë në Kosovë.
Kryeparlamentari  Veseli, u premtoi familjeve përfituese se 50 për qind të kuzhinave do t’ua mobilojë ai përmes donatorëve, ndërsa pjesën tjetër përmes institucioneve. Veseli tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse familjet kanë nevojë për strehim. Ai shtoi se nuk duhet të lejohet që familjet të jetojnë në kushte të vështira.