Prishtinë, më 20.06.2014
Përurohen 30 shtëpi në Lagjen e Dëshmorëve dhe fillon ndërtimi i 20 të tjerave në Podujevë
Zv/ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Fatmir Shurdha, së bashku me zv/ministrin e FSK-së, z. Muhamet Latifi dhe ish-deputetin nga Podujeva, z. Latif Gashi, ka bërë përurimin e 30 shtëpive në Ballofc të Podujevës, shtëpi këto të ndërtuara nga MPMS-ja për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të luftës së UÇK-së dhe për raste sociale. Familjarët që kanë përfituar nga ky projekt deri më tani kanë qenë të vendosur në të ashtuquajturën Lagje e Kuvajtit. Pas përurimit të këtyre 30 shtëpive, zv/ministri i MPMS, z. Fatmir Shurdhaj, së bashku me zv/ministrin e FSK-së, z. Muhamet Latifi, kanë vënë gurthemelin për ndërtimin edhe të 20 shtëpive tjera për këto kategori.
Z. Shurdhaj ka thënë, para të pranishmëve, se ndjehet i kënaqur që sot ndodhet këtu, në Ditën e Çlirimit të Besianës. “Kam kënaqësinë që plani dhe strategjia e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’iu ndërtuar shtëpi familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranëve dhe rasteve sociale po vazhdon. Ne sot i përuruam këto 30 shtëpi për këto kategori dhe po fillojmë ndërtimin e edhe të 20 shtëpive tjera. Ky projekt do të vazhdoj edhe në të ardhmen sepse është zotim i Qeverisë së Republikës së Kosovës”- ka thënë pos tjerash z. Shurdhaj.
Edhe pse MPMS-ja dhe KK i Podujevës kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për këtë projekt, në përurimin e sotëm nuk morën pjesë askush nga strukturat komunale të Podujevës, ku, sipas këtij memorandumi, është përgjegjësi e KK të Podujevës rregullimi i infrastrukturës përcjellëse për këto shtëpi. “Fatkeqësisht nuk janë sot këtu përfaqësuesit e komunës. Me keqardhje e them këtë. Ne kemi një marrëveshje mirëkuptimi për të ndërtuar infrastrukturën Pavarësisht kësaj ne do të vazhdojmë punën, projekti do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, ka thënë z. Shurdhaj.