8 prill 2015- Në kuadër të programit “Kosova e Bukur II”, i financuar nga Komisioni Evropian, i implementuar nga IOM-i e në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sot në Dragash është bërë përurimi i projektit “Renovimi i Fasadës së Qendrës Shëndetësore në Dragash”.
Me këtë rast, zv/ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zj. Rita Hajzeraj-Beqaj, në emër të MPMS ka falënderuar Zyrën e BE-së në Kosovë që përmes financimit të projekteve të këtilla në vazhdimësi po mbështet qytetarët e Republikës së Kosovës, mbështetje kjo që drejtpërsëdrejti po ndikon në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Projektet që janë duke u realizuar nga ky program, përveç që kanë krijuar kushte më të mira për grupet në nevojë sociale dhe qasje më të mirë në infrastrukturë publike, janë duke krijuar mundësi punësimi afatshkurtër për një numër të të papunëve afatgjatë, që janë të regjistruar në zyrat e punësimit dhe përfituesit e kategorisë së dytë në Skemën e Asistencës Sociale”-ka thënë zj. Hajzeraj-Beqaj.
Më tej zv/ministrja Hajzeraj-Beqaj, para të pranishmëve ka thënë se MPMS-ja për mision të sajin ka ngritjen e mirëqenies sociale dhe krijimin e mundësive për punësim dhe aftësim profesional për punëkërkuesit e Republikës së Kosovës, ku përmes zbatimit të masave aktive të punësimit dhe mbështetjes përmes projekteve të donatorëve, mesatarisht përmes ndërmjetësimit në punësim, arrihet të punësoj afër 7 mijë punëkërkues brenda vitit. “Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe në të ardhmen me donatorët dhe komunat, që përmes projekteve të tilla dhe masave aktive të punësimi të krijoj mundësi për qasje në tregun e punës për të gjithë qytetarët e saj”-tha zj. Hajzeraj-Beqaj në fund të fjalimit të saj. Renovimi i fasadës në Qendrën Shëndetësore në Dragash ka mundësuar punësimin afatshkurtër për 57 punëkërkues, prej të cilëve 37 kanë qenë të papunë afatgjatë e që janë të regjistruar si punëkërkues në Zyrën e Punësimit.