MINISTRI ABRASHI KËRKON MIRËKUPTIM NGA VETERANËT, VERIFIKIMI ËSHTË ENDE NË PROCES
Prishtinë, më 01 shkurt 2016
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njofton opinionin e gjerë dhe të gjithë veteranët luftëtarë, se në vazhdimësi është duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të përmbushjes së obligimeve ligjore. Në këtë kuadër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mirëpret të gjitha kërkesat e artikuluara dhe legjitime në këtë proces. Njëkohësisht, dëshirojmë të informojmë të gjithë përfaqësuesit legjitim të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, se ky është një proces kompleks që kërkon veprime në rrafshin e verifikimit, menaxhimit dhe implementimit të skemës ligjore, dhe në këtë kuadër ritheksojmë që kushdo që plotëson kriteret do të përfitojë nga skema e paraparë.
Në funksion të transparencës institucionale dhe publike, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale konfirmon realizimin progresiv të skemës dhe obligimeve që dalin prej saj. Gjatë muajit dhjetor janë paguar 13.324 pensione të veteranëve luftëtarë, kurse gjatë muajit janar janë paguar 14.923 Veteranë Luftëtarë, derisa edhe 3400 janë në proces të verifikimit, që nënkupton krahasimin e të dhënave me ATK, TRUST, kompletimin e dosjes, hapjen e llogarive bankare, etj.
Kjo skemë po zbatohet për herë të parë pas 16 vitesh, dhe si e tillë zbatimi i saj kërkon angazhim, në mënyrë që të shmanget çfarëdo keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi.