Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj kanë marrë pjesë në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e shtëpive për 273 familje të komunitetit joshumicë në Lipjan, në bazë të një projekti të realizuar nga MPMS.
“Nga sot po fillon një epokë e re për këto familje të cilat më së shumti kanë nevojë për ndihmën tonë, sigurinë e familjes së tyre dhe para së gjithash, të kenë një kulm mbi kokë.
Një projekt i tillë, jo vetëm që siguron dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë, por ndërton shtylla të besimit për një të ardhme të mirë dhe të qëndrueshme të Republikës së Kosovës”, tha Ministri Reçica.
Ai shtoi se mbeten të përkushtuar që të gjitha komunitetet në Kosovë të gëzojnë çdo të drejtë që garanton edhe kushtetuta dhe ligjet në Kosovë, të angazhohen në edukim më cilësor, të kenë shërbime shëndetësore më të mira dhe para së gjithash të rinjtë të kenë vende pune të qëndrueshme.
Zëvendëskryeministri Limaj uroi familjet përfituese duke e vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për qytetarët.
“Ndjehem i nderuar se sot po nis jetësimi i një projekti nga i cili do të përfitojnë 273 familje. Kjo është një dëshmi se shteti i Kosovës po i qëndron afër secilit qytetar”, tha Limaj.
Projekte si ky në Lipjan do të nisin së realizuari edhe në komuna tjera të Kosovës.