Nënshkruhet marrëveshja për zgjerimin e Programit të Vetëpunësimit

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të zgjerojnë Programin e Vetëpunësimit edhe në rajonin e Mitrovicës, ku do të vendosen në dispozicion 160.000,00 euro si grante dhe këshillim për themelimin e bizneseve të reja nga punëkërkuesit e papunë, të cilët do t‘i shfrytëzojnë këto mjete për të filluar biznese të reja, si dhe të punësojnë të tjerë.

Objektivi kryesor i Programit është që punëkërkuesve të papunë t’u ofrojë mundësi të fillojnë aktivitet biznesi. Programi krahas ndihmës financiare përfshin edhe ofrimin e trajnimit/këshillimit dhe shërbimeve të konsulencës për të papunët që posedojnë kualifikime dhe aftësi për ndërmarrësi, në mënyrë që ata mund të kenë sukses në zhvillimin e biznesit të tyre.

Pranimi i aplikimeve do të bëhet në zyrat përkatëse për punësim në rajonin e Mitrovices për fazën e dytë të programit, i cili do të fillojë në muajin shkurt të vitit 2016. Punëkërkuesit do të jenë të njoftuar me kohë për mënyrën e aplikimit dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë tek Zyrat e Punës.