Në Ditën Botërore të të Moshuarve, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot kanë vizituar Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë, për t’ua uruar banorëve të kësaj qendre këtë ditë feste, që për fatin e keq situata pandemike e ka pamundësuar të organizohet dhe festohet ashtu siç vërtetë e meritojnë të moshuarit tanë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë një paraqitje për media, ka thënë se, vizita e sotme në ketë ditë të rëndësishme për këtë shtresë të respektuar të shoqërisë, që trajtohen dinjiteteshëm nga stafi mbështetës i kësaj qendre, është në shenjë respekti por edhe për të sensibilizuar të gjithë shoqërinë për më shumë vëmendje ndaj moshës së tretë.
“Ne, si shtet dhe shoqëri duhet të bëjmë akoma më shumë për këtë kategori të qytetarëve dhe pikërisht ky është edhe misioni im si ministër i MPMS, pra për të bërë më të mirën e mundshme që këta bashkëqytetarë të kenë kushte dhe shërbime sa më të mira jetese”, ka thënë Reçica.
Gjithashtu, në këtë ditë të veçantë, që sot shënohet në gjithë botën, ministri i MPMS, Skender Reçica, ka vizituar edhe përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të prirë nga kryetari, Shaban Kajtazi, me të cilët ka bashkëbiseduar lidhur me të gjitha angazhimet e MPMS-së për jetësimin sa më parë të kërkesave shumë të drejta të pensionistëve.
“Përfaqësueseve të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, i shpreha përsëri vendosmërinë dhe përkushtimin tim për miratimin sa më parë të të gjitha akteve ligjore të cilat ndikojnë në mirëqenien e të gjithë qytetarëve, veçmas plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Shtetit, që i hap rrugë njohjes së stazhit të punës për punonjësit e larguar me dhunë gjatë viteve të 90-ta nga pushteti serb”, ka thënë ministri Reçica.
Ministri Reçica, ka thënë se, si ministër i MPMS, në koordinim edhe me institucionet tjera gjegjëse jemi duke u kujdesur që të sigurojmë buxhetin e nevojshëm për gjithë të moshuarit që janë të përfshirë nëpër skemat pensionale dhe sociale dhe po ashtu, jemi tejet të përkushtuar që të sigurojmë shërbime adekuate në qendrat e të moshuarve.