Prishtinë, më 12 janar 2018
Është miratuar në Qeverinë e Kosovës propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për mbështetje të disa OJQ-ve, të cilat ofrojnë shërbime për strehim të viktimave të dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të trafikimit.
Propozim-vendimin e ka paraqitur në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i MPMS-së, Skender Reçica i cili tha se në mungesë të vazhdimit të mbështetjes së financimit nga donatorët dhe buxhetet e komunave, MPMS për këto OJQ ka ofruar mbështetje për financimin e 50% të shpenzimeve të ofrimit të këtyre shërbimeve nga 1 janar deri me 31 dhjetor 2017.
“Marrë parasysh se shumica e këtyre Strehimoreve-OJQ-ve, për muajin janar dhe shkurt 2018 nuk kanë siguruar fonde të mjaftueshme për vazhdimin e aktiviteteve të tyre dhe mbulimin e shpenzimeve për ofrimin e këtyre shërbimeve, është e domosdoshme që t’ ju ndahen mjete financiare për të vazhduar ofrimin e shërbimeve për këta dy muaj, ndërsa nga muaji mars 2018 të gjitha strehimoret-OJQ-të dhe OJQ-të tjera do të aplikojnë në shpalljet publike, në bazë të Rregullores MF-NR- 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve”, tha Reçica.
Ministri bëri të ditur se janë ndarë mjete në vlerë prej 65,000.00 euro për strehimoret për muajin janar dhe shkurt me qëllim të ofrimit të mbështetjes së tyre në mbulimin e kostove për klientët në nevojë.