Mundësi punësimi dhe trajnimi për më shumë se 240 punëkërkues

Prishtinë, më 13 maj 2019

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, (MPMS) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), fton të gjithë punëkërkuesit e papunë, të regjistruar në Zyrat e Punësimit në të gjitha komunat e Kosovës që të aplikojnë në kuadër të Programit të Subvencionimit në Pagë dhe Trajnimit në Punë.

Nëpërmjet Programit të Subvencionimit në Pagë dhe Trajnimit në Punë do të mbështeten mbi 240 punëkërkues të papunë, me fokus punëkërkuesit afatgjatë që hasin vështirësi për t’u trajnuar dhe punësuar. Krijimi i mundësive për punësim për punëkërkuesit në Kosovë duke subvencionuar punëdhënësit të cilët janë të gatshëm t’i punësojnë ata në periudha afatgjata si dhe ofrimi i mundësisë së trajnimit për punëkërkuesit e papunësuar që kanë nivel të ulët arsimor dhe nuk kanë përvojë të mëparshme të punës, janë objektivat e këtyre dy skemave.

Afati i aplikimit është i hapur nga data 14 deri 24 maj 2019. Ftojmë punëkërkuesit që të vizitojnë Zyrat e Punësimit, për më shumë informacione rreth procedurave të aplikimit, apo të shfletojnë ueb-faqet: www.mpms.rks-gov.net dhe https://aprk.rks-gov.net , ku edhe mund të shkarkohen formularët e aplikimit, të cilët duhet të dorëzohen pranë Zyrës së Punësimit në komunën tuaj.