Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Skender Reçica dhe Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë z. Shyqiri Bytyqi, sot në një ceremoni rasti, kanë nënshkruar marrëveshjen e kooperimit ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit). Kjo marrëveshje bashkëpunimi thellon edhe më tej përkushtimin e MPMS për të bashkëpunuar me MASHT dhe GIZ për projektin e përbashkët YES (Rinia, Punësimi dhe Aftësitë ).
Andaj kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë, pasi që MPMS dhe MASHT janë duke koordinuar politikat që të rinjët e Kosovës, të trajtohen në aspektin e trajnimit, aftësimit profesional, orientimit në karrierë dhe përfundimisht punësimit të qëndrueshëm të tyre në Kosovë.
Ministri Reçica në fjalimin e tij në këtë ceremoni falënderoi Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për mbështetjen dhënë shtetit të Kosovës. Kjo mbështetje lidhet direkt me punësimin dhe aftësimin profesional të të rinjëve, riintegrimin e të rikthyerëve në shoqërinë tonë, mbështetjen e kapaciteteve të brendshme të MPMS, në veçanti Agjencionit të Punësimit të Republikës së Kosovës.
Ministri Reçica theksoi se aftësimi, përgatitja e të rinjve për tregun e punës, si dhe Punësimi i të rinjëve tashmë është një obligim i yni dhe karshi agjendës evropiane dhe është vënë në fokus edhe në Programin për Reformë Ekonomike 2018-2020 dhe në strategjinë sektoriale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Për të realizuar objektivin e punësimit të të rinjëve ai theksoi se tashmë grupi punues ndërsektorial ka draftuar planin e veprimit të të rinjëve 2017- 2020 dhe ky plan, do të dërohet për miratim në Qeveri deri në fund të vitit. Andaj edhe kjo marrëveshje e kooperimit ndërmjet MPMS, MASHT dhe GIZ është një marrëveshje nga e cila do të dalin shumë projekte dhe programe, të cilat do të mbështesin implementimin e këtij plani.
Në fjalimin e tij Ministri i MASHT, z. Shyqiri Bytyqi theksoi se Marrëveshja e kooperimit në mes MPMS, MASHT dhe GIZ do të mbështes edhe më shumë prioritetin e MASHT për implementimin e Planit Strategjik të Edukimit në Kosovës 2017-2021, si dhe do të mbështesë përmirësimin e kualitetit në aftësimin profesional të të rinjëve.
Kjo marrëveshje është ndër marrëveshjet me kosto më të lartë që i ka dhënë ndonjë herë Qeveria e Federale e Gjermanisë, shtetit të Kosovës, në veçanti MPMS dhe MASHT dhe përkushtimi i dy ministrive në implmentimin kësaj marrëveshjeje do të jetë në nivelin më të lartë.
Projektet të cilat do të zbatohen nga kjo marrëveshje, kanë për qëllim që Kosova të trasojë rrugën e qartë drejt zhvillimit të saj ekonomik, duke krijuar kushte të mira për punësueshmërinë e të rinjëve dhe krijimin e qëndrueshëm të vendeve të punës, aftësimin profesional dhe ofrimin e një edukimi sa më cilësorë në Kosovë.