Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë bërë të ditur sot se bashkërisht janë dakorduar për krijimin e një fondi prej 60,000 eurosh, në të cilin kanë kontribuar bashkërisht me nga 30,000 euro për ndërtimin e shtëpive për personat e pastrehë të cilët jetojnë në kushte të vështira financiare. Drejtuesit e të dyja institucioneve njoftuan se përzgjedhja e përfituesve dhe fillimi i ndërtimit të shtëpive do të ndodhin brenda një periudhe 30 ditore përmes një procesi të hapur.
“Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale është mirënjohëse ndaj Odës Amerikane për një iniciativë të tillë, duke shprehur bindjen që përmes përdorimit sa më efikas të fondit do të synohet plotësimi i nevojave të disa familjeve brenda këtij viti, me shpresën që iniciativat e tilla të përbashkëta, ku kontribut të madh kanë dhënë vetë bizneset, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen,” tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
Ministri Abrashi tha më tej se përmirësimi i kushteve të jetesës për kategoritë e qytetarëve që jetojnë në kushte të vështira është synim i vazhdueshëm i ministrisë që ai drejton.
Në anën tjetër Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se duke iu falënderuar kontributit të bizneseve dhe miqve të tjerë të fondacionit të Odës Amerikane është bërë e mundur mbledhja e fondeve, të cilat kanë pasur për synim mbështetjen e ndërtimit të shtëpive për familjet e pastreha. Ai po ashtu falënderoi Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që ka vendosur që të kontribuojë në mënyrë të barabartë në këtë iniciativë të rëndësishme. Zeka tha se Bordi i Guvernatorëve i Odës Amerikane do të përcaktojë një komision të pavarur, i cili do të merret me vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve, pjesë e të cilit do të jenë edhe personalitete nga shoqëria civile.
Kompanitë anëtare të Odës Amerikane të cilat kanë kontribuar në mbledhjen e fondeve për ndërtimin e shtëpive janë: IPKO, Vala, NewCo Ferronikeli, Meridian Corporation, Coca Cola Hellenic, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës – Limak Kosovo, Banka NLB Prishtina, Elkos, HIB Petrol, Devolli Corporation, Mabetex, Z-Mobile, Railtrans, Recura Financials, Servisshped, Hymeri Kleemann, Alcatel Lucent, CEO, Vllesa-Co, ASDA, Boga & Associates dhe Gjirafa Inc.