Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, takoi sot kryetarin e organizatës për persona të hendikepuar dhe aftësi të kufizuara, Agim Vatovcin dhe përfaqësuesin e organizatës, Afrim Gollopeni, nga të cilët u njoftua për së afërmi për punët që kryen kjo organizatë karshi personave me aftësi të kufizuara.
Organizata në fjalë ka mbi 500 anëtarë të etniteteve të ndryshme.
Agim Vatovci falënderoi ministrin për pritjen dhe mbështetjen. Ai tregoi se në Kosovë janë gjithsejtë 18 mijë e 764 persona me aftësi të kufizuara të cilët ndahen në tetë kategori.
Vatovci njoftoi se organizata gjatë dhjetë viteve të fundit ka arritur që të punësojë 40 persona të hendikepuar, nëpër institucione dhe ndërmarrje të ndryshme.
Në anën tjetër, ministri Reçica shprehi gatishmërinë e plotë për të ndihmuar organizatën përbrenda kompetencave që ka MPMS dhe shprehi gatishmërinë për të bashkëpunuar në të mirë të përmirësimit të gjendjes sa i përket personave me aftësi të kufizuara.
Ai njëkohësisht përgëzoi Vatovcin për punën e tij në organizatë dhe në përgjithësi, në angazhimin e tij për të siguruar trajtim të mirëfilltë të kësaj kategorie.