Dortmund, më 23 tetor 2017
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Skender Reçica, me bashkëpunëtorë po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani. Me këtë rast z. Reçica u takua me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dhe përfaqësuesit e Sindikatës Federale të Gjermanisë me seli në Dortmund. Ministri Reçica shprehu falënderimin për Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane dhe diasporën shqiptare në Gjermani për ndihmën e vazhdueshme dhënë shtetit të Kosovës.
Përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve, uruan ministrin Reçica për angazhimin e tij në detyrën e re dhe njëherësh shprehën kënaqësinë e vizitës, kujdesit dhe interesimin për diasporën shqiptare. Ministri Reçica i informoi përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve për programin qeverisës dhe angazhimin e tij në luftimin e papunësisë në Kosovë, zvogëlimin e pranimit të asistencës sociale nëpërmjet punësimit dhe rritjen e mundësive të shkollimit dhe aftësimit profesional të të rinjve dhe grave në Kosovë. Me këtë rast, ministri Reçica, theksoi se MPMS ka filluar bashkëpunimin në realizimin e projekteve të përbashkëta me shtetin e Gjermanisë, në fushën e aftësimit profesional, gjithashtu kërkoi që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe me Unionin e Biznesve Shqiptaro-Gjermane.
Përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunimin me MPMS-në, që të ndihmojnë Kosovën, veçanërisht të rinjtë kosovarë në fushën e arsimit dhe shkollimit profesional. Njëherësh ministri Reçica falënderoi përfaqësuesit për mikpritjen e ngrohtë dhe shprehjen e interesimit për të bashkëpunuar.
Ministri Reçica, po sot u takua edhe me përfaqësuesit e Sindikatës Federale të Gjermanisë me seli në Dortmund. Me këtë rast Ministri Reçica u njoftua për së afërmi me projektin “Fair Mobility”. Ky projekt është një projekt i rëndësishëm, i cili fokusohet në këshillimin e punëtorëve migrantë të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të treta. Me këtë rast, ministri Reçica, kërkoi nga përfaqësuesit e sindikatës për të filluar bashkëpunimin lidhur me fillimin e dhënies së këshillave për qytetarët nga Kosova në fushën e migrimit në punë.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që për fillim së bashku me GIZ dhe Sindikatën Federale të Gjermanisë të fillojnë të përkthejnë materialet edhe në gjuhën shqipe dhe të krijohen lidhje me Agjencinë e Punësimit lidhur me aftësimin ose hospitimin e stafit të Agjencisë në fushën e këshillimit të qytetarëve, lidhur me migrimin për punë në Gjermani.