Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Singaporit, ku po zhvillon takime me përfaqësues të nivelit të lartë shtetëror.
Ministri Reçica takoi sot ministrin e shtetit për çështje të punësimit dhe zhvillim kombëtar të Singaporit, Zaqy Mohamad, të cilin e falënderoi në emër të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Republika e Singaporit në vazhdimësi i ka dhënë Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme në kuadër të mardhënieve bilaterale.
Reçica e njoftoi ministrin Mohamad rreth sfidave me të cilat po përballet Kosova sa i përket papunësisë. Ai theksoi se politikat e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë orientimi në karrierë i të rinjve në përputhje me nevojat e tregut të punës si dhe arsimimi dhe aftësimi profesional i të rinjve.
Mohamad tha se Singapori mund të mbështesë Kosovën nëpërmjet programeve të ndryshme të trajnimit, për çka së bashku me ministrin u dakorduan që në një të ardhme të afërt të konkretizojnë bashkëpunimin.
Gjatë ditës, Reçica takoi edhe ministrin për Zhvillim Social dhe të Familjes, Desmond Lee, të cilin e njoftoi rreth gjendjes sociale dhe problemeve me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Ministri e njoftoi homologun e tij gjithashtu edhe për reformat që ka ndërmarrë MPMS në këto dy fusha si dhe theksoi se është shumë e nevojshme që të dyja shtetet të ndërtojnë ura bashkëpunimi në fushën sociale dhe atë të familjes.