Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Sofje z. Shpend Kallaba u prit sot në takim nga homologu i tij bullgar, Ministri i Punës dhe Politikave Sociale, Biser Petkov.
Ministri Reçica falënderoi ministrin Petkov për mbështetjen e shtetit bullgar dhënë Republikës së Kosovës, duke thënë se Bullgaria është një ndër shtetet i cili qysh në fillim e ka njohur Kosovën dhe vazhdimisht e ka përkrahur në aspektin e zhvillimit dhe procesin e integrimit.
Reçica e njoftoi Petkov lidhur me procesin e integrimit evropian të Kosovës, ku theksoi se Kosova tashmë ka hartuar një Plan Veprimi për zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
“Në kuadër të këtij plani, MPMS ka disa obligime të cilat lidhen me Punën dhe Punësimin dhe Mirëqenien Sociale. Një ndër këto obligime është hartimi i një Strategjie Sektoriale së bashku me Planin e Veprimit si dhe hartimi i Planit të Veprimit për punësimin e të rinjve, dokumente të cilat tashmë janë miratuar në Qeveri.
Në kuadër të Strategjisë Sektoriale janë paraparë një sërë reformash duke u nisur nga reforma e ligjit të Punës, reforma pensionale, reforma e skemave sociale dhe aftësisë së kufizuar, Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social (Dialogu Social)”, tha ministri Reçica.
Nga ana e tij, ministri Petkov e njoftoi ministrin Reçica mbi domenin e ministrisë së tij dhe vështirësitë që ka kaluar Bullgaria lidhur me marrëdhënien e punës dhe politikave sociale. Ai theksoi se një ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale është të përmirësoj kualitetin dhe sigurinë e punës, nëpërmjet mbrojtjes së të drejtave sociale të personave dhe tregoi gjithashtu se janë duke punuar në përmirësimin e legjislacionit rreth sigurimeve sociale.
Te dy ministrat u pajtuan për të thelluar bashkëpunimin në këtë fushë sepse është një ndër fushat më të rëndësishme dhe në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve por edhe në fusha tjera, me qëllim të shkëmbimit të përvojave. Me këtë rast, ministri Reçica ftoi Ministrin Petkov për një takim bilateral në Kosovë.