Ministri Reçica dhe ambasadori zviceran Thomas Kolly dakordohen për vazhdimin e projekteve në të mirë të Kosovës

Prishtinë, më 12.10.2020

Ministri i Punë dhe Mirëqenies Sociale takoi sot ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në Kosove z. Thomas Kolly, me të cilin bashkëbiseduan lidhur me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Ministri Reçica njoftoi Ambasadorin Kolly lidhur me projektet dhe programin e MPMS, për Reformat të cilat ka ndërmarrë kjo Ministri në këtë mandat qeverisës.

Ministri Reçica në këtë rast falënderoi Ambasadorin Kolly për ndihmën që ka dhënë Zvicra për Kosovën, si në aspektin diplomatik po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik me projekte konkrete. Ministri në këtë rast falënderoi edhe një herë Ambasadorin për arritjen e marrëveshjes për Sigurime Sociale, sepse ka lehtësuar jetën e qytetarëve në të dyja vendet tona mike. Me këtë marrëveshje qytetarët e Kosovës janë duke gëzuar beneficionet e fituara në shtetin e Zvicrës dhe kjo është për t’u çmuar.

Gjithashtu, u bisedua për arritjen e marrëveshjes për fazën e tretë të EYE Project , (Enhancing Youth Employment) projekt i cili edhe më tej do të ndihmojë rininë e Kosovës në edukim dhe punësim.

Ministri  dhe Ambasadori Kolly u dakorduan që të vazhdojnë projektet në të mirë të Kosovës, posaçërisht në aftësimin dhe riaftësimin profesional, në zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë në Kosovë.