Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Skender Reçica priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë z. Christian Heldt.
Ministri Reçica e informoi ambasadorin për gjendjen dhe sfidat që e presin Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe hapat që do të ndërmerren në realizimin dhe zbatimin e mandatit të kësaj ministrie. Ai falënderoi z. Heldt për ndihmën dhe bashkëpunimin e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë dhe Shtetit Gjerman në veçanti, për mbështetjen e pa rezervë, në zhvillimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Gjermania është një ndër vendet që ka investuar më së shumti në Kosovë dhe ka ndihmuar MPMS-në me projekte të ndryshme, me ç’rast Ministri Reçica shprehi mirënjohje të thellë.
Ambasadori Heldt, e përgëzoi ministrin për Qeverinë e re dhe për mandatin si Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me këtë rast shprehi gatishmërinë, që edhe më tej të bashkëpunoj me shtetin e Kosovës dhe MPMS-në. Në fund, ambasadori Heldt dhe Ministri Reçica u dakorduan që të kenë edhe më shpesh takime, që të jenë më afër të informuar me mundësitë e reja të bashkëpunimit, në fushat me rëndësi për MPMS-në.