16 nëntor 2015- Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, është mirëpritur sot nga kryetarja e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, znj Mimoza Kusari.
Ministri Arban Abrashi, mori pjesë në inaugurimin e Qendrës Regjionale të Aftësimit Profesional në Gjakovë. Abrashi tha se ky është një bashkëpunim i mirë me komunën e Gjakovës, ndërsa Qendra e Aftësimeve Profesionale është e rëndësisë së veçantë si për të rinjtë e Gjakovës, ashtu edhe për të rinjtë e komunave përreth.
“Është një investim prej 2000 m2, në vlerë 500 mijë euro investime dhe nuk do të ndalemi me kaq. Tani jemi në procedurë të pajisjës së kabineteve me makinerinë e nevojshme. Me këtë investim ne kemi përfunduar infrastrukturën fizike dhe u dakorduam me kryetaren që viteve të ardhshme të punojmë edhe në kurrikulën profesionale”. Abrashi ka shtuar se në vitet në vazhdim do të dalin edhe projekte të reja të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore përmes angazhimit të komunitetit të biznesit, odave ekonomike dhe palëve tjera të interesit, për një aftësim profesional.
“Hapja e Qendrës së Aftësimit Profesional, Qendrës Inovative dhe shkollave profesionale është e një rëndësie të madhe për Komunën e Gjakovës. Hapi i radhës së komunës në partneritet me Qeverinë është që të finalizojmë zonën industriale, e cila do të ofrojë mundësi më të mëdha për punësimin e të rinjve” tha znj.Kusari Lila.