Ministri Abrashi mori pjesë në prezantimin e Programit të Vetëpunësimit në rajonin e Mitrovicës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sot mori pjesë në prezantimin e Programit të Vetëpunësimit në sektorin privat në rajonin e Mitrovicës.

Në bashkëpunim me Programin i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ambasadën Finlandeze në Prishtinë, janë prezantuar të gjeturat e analizës së sektorit privat, si dhe është lansuar Programi për Vetëpunësim për rajonin e Mitrovicës.

Në këtë prezatim, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se ky program, i cili është vazhdimësi e fazës së parë të Programit të vetëpunësimit, tashmë të realizuar me sukses në rajonet e Gjilanit, Prishtinës dhe Prizrenit, ka për qëllim të mbështesë punëkërkuesit që të jetësojnë idetë e tyre të biznesit të cilat sjellin risi në treg.

“Përmes granteve do të mbështesim punëkërkuesit me ide unike biznesi të cilët sigurojnë mundësi të qëndrueshme punësimi për veten e tyre dhe punëkërkues të tjerë të papunë”, ka thënë Abrashi duke shprehur njëheri falënderimet e tij për partnerët implementues.

Me këtë rast Zëvendëspërfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, ka theksuar rëndësinë që ka krijimi i mundësive të reja për zhvillim dhe punësim në sektorin privat në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme. Ajo ka prezantuar njëherit edhe angazhimin e UNDP-së në këtë drejtim.