Mbledhja e përbashkët Shqipëri-Kosovë; Nënshkruhet marrëveshja për realizimin e të drejtave në pension

Korçë, më 27 nëntor 2017
Ministri i Punës dhe Mirëqenës Sociale, Skender Reçica mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt sot në qytetin e Korçës.
Në kuadër të shumë marrëveshjeve të rëndësishme që u nënshkruan në mbledhjen e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, ishte edhe ajo për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension, e cila u nënshkrua nga ministri i Financave dhe i Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Ministri Reçica, gjatë prezantimit të marrëveshjes tha se marrëveshja k
a për qëllim realizimin e të drejtës për pensione për qytetarët e dy vendeve tona.
Fjalimi i plotë i Ministrit:
I nderuari Kryeministër i Shqipërisë z. Edi Rama,
I nderuar Kryeministër i Kosovës z. Ramush Haradinaj,
Të nderuar zv. Kryeministra dhe Ministra të Qeverive tona,
Ndjehem i  privilegjuar, besoj kështu ndjehemi të gjithë, që sot jemi bashkë në ketë vend, në Korçën tonë të mësonjëtores së parë shqipe, e në vigjilje të festës së Flamurit, pra jemi bashkë në një mision të rëndësishëm bashkëpunimi për një qeverisje të përbashkët për të mirën e kombit tonë.
Me lejoni që sot, para Jush, të prezantoj Marrëveshjen për vërtetimin e periudhave të sigurimit, që për qëllim ka realizimin e të drejtës për pensione për qytetarët e dy vendeve tona.
Për realizimin e kësaj marrëveshjeje është negociuar nga dy Qeveritë, është finalizuar drafti përfundimtar i saj dhe ka kaluar gjithashtu edhe procedurat sipas ligjeve për marrëveshjet ndërkombëtare të të dy vendeve tona.
Marrëveshja do të zbatohet në përputhje me legjislacionet në fuqi të palëve kontraktuese, e cila rregullon fushën e pensioneve dhe dispozitat e saj do të zbatohen vetëm për vërtetimin reciprok të periudhave të sigurimit, me qëllim të plotësimit të kushteve për arritjen e të drejtës për pensionin e pleqërisë, pensionin e invalidit dhe pensionin familjar të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kjo marrëveshje do të zbatohet edhe për dispozitat ligjore mbi zgjerimin e skemave aktuale me kategoritë e reja përfituesish, në rast se në  lidhje me këtë nuk ka kundërshtime nga pala kontraktuese e cila ka ndryshuar në ndërkohë legjislacionin e saj për të cilën pala tjetër kontraktuese do të njoftohet brenda gjashtë muajsh, nga publikimi zyrtar i akteve të cilësuara.
Dëshiroj të theksoj se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, sepse u del në ndihmë qytetarëve të të dyja vendeve, në realizimin e një të drejte ligjore dhe humane, të cilën nuk kanë pasur mundësinë për të shfrytëzuar deri më tani.
Të nderuar të pranishëm,
Ne kemi shumë punë për para vetes, kemi humbur shumë kohë! Uroj të kemi mësuar nga kjo vonesë dhe uroj t’i shndërrojmë Dikasteret tona në një shëmbëllim pune.
Faleminderit!