Mbahet takimi “Biznese me biznese”

Sot në Prishtinë është mbajtur takimi “Biznese me biznese”, në kuadër të projekteve të financuara nga grant skema për “Rritjen e punësimit të grupeve në nevojë”, ku pjesëmarrës ishin Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, Zëvendës Shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë z. Libor Chlad dhe dhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës z. Safet Gërxhaliu.

 

Kjo grant skemë e menaxhuar nga MPMS, është pjesë e një sërë masave të ndërrmarra nga ana e BE-së për integrimin e personave në nevojë në tregun e punës, duke iu ofruar atyre mundësi që të shëndërrohen në persona të vlerësuar të shoqërisë. Pra me këtë skemë të menaxhuar nga MPMS dhe të financuar nga BE-ja, është mundësuar që gratë, të rinjtë, pjesëtarë të grupeve minoritare dhe persona me aftësi të kufizuara të cilët janë të papunë, të shëndërrohen në ndërrmarrës të vetëpunësuar apo të punësohen duke vënë në pah aftësitë, pasionin, idetë dhe përkushtimin e tyre.

 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, i cili hapi këtë takim u shpreh i kënaqur me jetësimin e këtij projekti i cili sipas tij sjell praktikat më të mira nga vendet e Bashkimit Evropian, sa i përket punësimit të personave në nevojë dhe vënien në dukje të pasioneve dhe ideve të tyre në botën e biznesit. Ministri Abrashi theksoi që ky projekt ka pasur sukses se janë punësuar qindra veta dhe e mira e kësaj është se projekti sjell praktikat më të mira nga vendet e BE-së, poashtu Ministri Abrashi, njoftoi pjesëmarrësit se sa i përket Ligjit për Ndërrmarrjet Sociale jemi në fazën finale të kalimit në Qeveri dhe kjo është çështje javësh.

 

Ndërkaq Zëvendës Shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë z. Libor Chlad është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë nga MPMS edhe bizneset tjera që kanë bërë të mundur përmirësimin e tregut të punës në përgjithësi.