RRETH Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale
Kompetencat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), bazuar në Rregulloren Nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive ka këto kompetenca dhe përgjegjësi:
I. Krijon politikat e punës dhe të mirëqenies sociale si dhe harton dhe zbaton legjislacionin për këto fusha;
II. Përkrah dhe zhvillon marrëdhëniet jodiskriminuese të punës dhe punësimit, duke marr parasysh standardet e zbatueshme ndërkombëtare të punës:
III. Përcjell ecuritë e punësimit dhe të mirëqenies sociale dhe prezanton masat aktive adekuate të nxitjes së punësimit dhe zvogëlimit të papunësisë si dhe masat pasive adekuate për të përmbushur nevojat në ndihmë sociale për qytetarët nevojtarë;
IV. Përkrah politikën e veprimit dhe praktikat e punës e të mirëqenies sociale për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve;
V. Vendos standarde për siguri dhe mbrojtje në punë të të punësuarve dhe mbikëqyr zbatimin e tyre;
VI. Udhëheq dhe mbikëqyrë institucionet administrative publike të punësimit dhe institucionet e përkujdesjes sociale, të personave në nevojë dhe bashkëpunon me komunat dhe institucionet e përfshira në zbatimin politikave të punësimit dhe mirëqenies sociale;
VII. Mbikëqyrë kërkesën dhe ofertën për tregun e punës dhe angazhohet pët përputhshmërinë e tyre;
VIII. Siguron dhe mbikëqyrë programet e aftësimit profesional për të papunët dhe punëkërkuesit në drejtim të zhvillimit të burimeve njerëzore, për të përmirësuar mundësitë e tyre të punësimit;
IX. Nxitë dhe inkurajon dialogun në mes partnerëve socialë (organizatave të punëtorëve, sindikatave, organizatave të punëdhënësve dhe qeverisë);
X. Konvokon takimet e Këshillit Ekonomiko Social (KES), si organ më i lartë këshillëdhënës i partnerëve socialë për politikat e punësimit, të mirëqenies sociale dhe politikat tjera ekonomike, duke synuar parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve sociale si dhe përfaqëson Qeverinë e Kosovës në këtë organ;
XI. Siguron ndihma financiare nga mjetet e akorduara për familjet dhe individët nevojtarë;
XII. Menaxhon shfrytëzimin dhe zhvillimin e infrastrukturës, që ndërlidhet me punën dhe mirëqenien sociale në përgjegjësinë e kësaj ministrie;
XIII. Administron dhe përkrah sistemin e sigurimit social, duke përfshirë edhe sistemin pensional dhe benefitet e papunësisë;
XIV. Siguron përkrahje financiare dhe sociale, emergjente dhe të përhershme, përmes institucioneve apo shërbimeve të ngritura për këtë qëllim për qytetarët me nevojë;
XV. Kryen edhe detyra tjera që i caktohen ministrisë me legjislacionin përkatës në fuqi.