Prishtinë, më 02 shkurt 2016
Ministri i MPMS-së, z. Arban Abrashi ka zhvilluar një takim me partnerët socialë, ku në mënyrë unanime me kërkesën e tyre u dakrduan që z. Abrashi të kryesojë Këshillin Ekonomik Social deri në qershor të këtij viti.
Gjatë këtij takimi ata u pajtuan që pas kësaj periudhe kryesuesi do të zgjidhet përsëri me konsensus, por nëse konsensusi nuk arrihet, atëherë do të vendoset me instrumentin e votës. Brenda kësaj periudhe do të shqyrtohen edhe çështje që i përkasin buxhetit të KES-it si dhe infrastrukturës ligjore.
Në takimin e sotëm u aprovua edhe raporti i punës njëvjeçarë të Këshillit Ekonomik Social. Po ashtu, sot u diskutua edhe për Ligjin e Punës, pensionet e parakohëshme të minatorëve si dhe luftën kundër informalitetit. Këshilli Ekonomik Social ka diskutuar edhe për Kontratën Kolektive, për të cilën ata u angazhuan që kjo të gjejë zbatim jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat.