Abrashi hapi panairin e punësimit që do të punësojë mbi 1000 të rinj

Prishtinë, më 31 maj 2016

Me mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nën organizimin e Odës  Ekonomike Gjemano-Kosovare, sot u hap Panairi i Punësimit “Diaspora – Investimet dhe Punësimi”, në hotelin ‘Emerald’ në Prishtinë.

Në këtë panair, kompanitë gjermane kanë shfaqur interes të jashtëzakonshëm që në bashkëpunim me kompani vendore të realizojnë projekte që pritet të hapin deri në dhjetëra mijëra vende të reja punës këtë vit dhe vitin vijues.

Në hapje të panairit, Ministri Abrashi falënderoi kompanitë gjermane dhe kompanitë vendore për interesin e tyre në projekte, përmes të cilave hapen vende të reja të punës për të rinjtë nga Kosova.

Panairin e ka përshëndetur edhe koordinatori i Programit për Migrim dhe Zhvillim, Benjamin Wosten. Ai e ka vlerësuar një ditë të shënuar për Kosovën dhe të rinjtë, të cilët sot mund të përfiftojnë një vend pune. Me këtë rast, Wosten ka falënderuar për bashkëpunimin e mirë me MPMS-në dhe Odën Ekonomike Kosovaro-Gjermane, për organizimin e suksesshëm të këtij panairi

Panairi është  mbështetur edhe nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK), Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Diasporës dhe Agjencioni Federal për Punë (ZAV).