Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala si dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, vizitoi sot objektin e banimit social në Malishevë. Objekti është duke u ndërtuar në sajë të bashkëpunimit të MPMS-së me Komunën e Malishevës, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.
“Jemi sot këtu për të parë nga afër punimet e objektit të banimit social që po e ndërtojmë bashkë me Komunën e Malishevës, objekt i cili i ka munguar Komunës së Malishevës. Objekte të ngjashme ne kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë edhe në komuna tjera të Kosovës. Kjo shënon një nga përpjekjet tona për të përmirësuar mirëqenien sociale të këtyre familjeve më në nevojë”, tha ministri Reçica.
Tutje, Reçica shtoi se përpjekjet janë të orientuara në atë drejtim që të shtrihet dora e kujdesit shtetëror ndaj familjeve që jetojnë në gjendje më të rënduar sociale e njëkohësisht të përmbushen obligimet dhe zotimet para qytetarëve.
“Falënderojë Komunën e Malishevës, kryetarin Begaj, për bashkëpunimin në këtë projekt dhe bashkë do të angazhohemi edhe në përpjekjet e radhës që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha ministri.
Kryetari Begaj, falënderoi ministrin Reçica për punën që Ministria po bënë në shërbim të qytetarëve.
“Ky objekt do të jetë një zgjidhje e përhershme për këta qytetarë që do të përfitojnë. Është një punë e madhe që është duke u bërë dhe kjo krejt me qëllim që të ndihmohen këto familje në kushte më të rënda të cilat tashmë do të kenë një strehë”, deklaroi ministri Reçica.
Projekti në fjalë pritet të përfundohet deri në fund të këtij viti, sipas kontratës dhe dinamikës së punëve. Ndërtimi i tij është financuar me 600.000 euro nga MPMS dhe 47.671 nga Komuna e Malishevës. Ai do të ketë 4000 m2 me gjithsejtë 44 banesa që do tu shpërndahen familjeve më në nevojë.