Reçica: Si shtet dhe shoqëri duhet të bëjmë akoma më shumë për të moshuarit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit ndaj të Moshuarve, ishte për vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, shtëpi në të cilën janë të sistemuar mbi 70 persona të moshuar.
Gjatë kësaj vizite në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, ministri Reçica, theksoi se, ne si shtet dhe shoqëri duhet të bëjmë akoma më shumë për këtë kategori të qytetarëve dhe pikërisht kjo ishte arsye e kësaj vizite, pra për të shprehur gatishmërinë tij dhe të dikasterit që drejton për të bërë më të mirën e mundshme që këta bashkëqytetarë të kenë kushte dhe shërbime sa më të mira jetese.
MPMS në koordinim me institucionet tjera gjegjëse është duke u kujdesur që të sigurojmë buxhetin e nevojshëm për gjithë të moshuarit që janë të përfshirë nëpër skemat pensionale dhe sociale dhe po ashtu të sigurojmë shërbime adekuate në qendrat e të moshuarve, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.