Prishtinë, më 20 tetor 2020
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë edhe me zëvendëskryeministren Albulena Balaj-Halimaj, kanë pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, për të diskutuar lidhur me hapat që MPMS ka ndërmarrë në funksion të implementimit të Marrëveshjes për Mobilitet për Punë, që është nënshkruar në mbledhjen e fundit të dy qeverive.
Ministri i MPMS, Skender Recica, u shpreh se, me mbështetjen e madhe edhe të zëvendëskryeministres Balaj-Halimaj, janë të gatshëm për ta jetësuar sa më parë këtë marrëveshje, që për qëllim ka përmirësimin e fushës së punësimit dhe aftësimit profesional, integrimin e një tregu të përbashkët të punës Kosovë-Shqipëri, përmbushjen e nevojave të qytetarëve për lëvizje të lirë të punëtorëve, hapjen e horizonteve të bashkëpunimit dhe integrimit andej dhe këndej kufirit.