Prishtinë, më 09 dhjetor 2020
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka marrë pjesë në takimin virtual me rastin e fillimit të projektit për mbështetjen e Inspektoratit të Punës “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të sigurësë dhe shëndetit në punë dhe dialogut social’, projekt ky i cili është mbështetur nga Sida Suedeze dhe do të implementohet nga UNOPS.
Me këtë rast, Ministri Reçica falënderoj Qeverinë Suedeze në emër të Ministrisë dhe Qeverisë së Kosovës, sepse ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin e posaçërisht për përmirësimin e ambientit të punës dhe promovimin e dialogut social në vend.
Ai theksoi se ky projekt do të jetë në vazhdimësi në përkrahjen e MPMS, me qëllim të arritjes së vizionit të Qeverisë së Kosovës në ndërtimin e një shoqërie, ku mbrojtja sociale dhe gjithëpërfshirja për të gjithë qytetarët e saj është e siguruar për një jetë me dinjitet ekonomik e social, përfshirë edhe kushte më të përshtatshme pune dhe mundësi të barabarta.
Ministri Reçica shpalosi informatën se MPMS tashmë ka lancuar për diskutim publik “Strategjinë ndërsektoriale për siguri dhe shëndet në punë”, e cila gjithashtu ka për qëllim krijimin e një ambienti më të sigurtë për punëtorët e gjithashtu ruajtjen e shëndetit të tyre.
Ai gjithashtu theksoi, se përmirësimi i kushteve të punës është një nga instrumentet më të rëndësishmë për një mënyrë jetese më të mirë për punëmarrësit e Kosovës dhe shoqërinë në përgjithësi, duke e përafruar Kosovën edhe më afër me komunitetin europian.