Zv/ministri i MPMS, z. Fatmir Shurdhaj dhe kryetarja e Gjakovës, zj. Mimoza Kusari-Lila, solemnisht kanë bërë vënien e gurthemelit për Qendrën Regjionale të Aftësimeve Profesionale në Gjakovë.
Me këtë rast zv/ministri Shurdhaj është shprehur se QRAP në Gjakovë ka zhvilluar një aktivitet të dendur ku deri më tash janë trajnuar mbi 3 900 punëkërkues. “Sot po fillojmë të ndërtojmë një qendër moderne me mbi 2 mijë metra katrorë, që do të mundësoj aftësimin profesional të punëkërkuesve sipas nevojave të tregut të punës për regjionin e Gjakovës”-ka thënë ai dhe shtoi se MPMS-ja për këtë qëllim ka ndarë mjete në vlerë rreth 4 qind e 68 mijë euro.
Ndërkaq kryetarja e Gjakovës zj. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ky investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës do t’i mundësoj edhe sektorit privat në Komunën e Gjakovës furnizimin me kuadro profesionale, do të kontribuojë në të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në zonën e lirë ekonomike në një zhvillim të hovshëm ekonomik. “Ajo çfarë është e nevojshme për një ekonomi të zhvilluar është stafi profesional’-ka thënë zj. Lila.
Me ndërtimin e këtij objekti, i cili është më i madhi i këtij lloji në Kosovë, do të shtohen edhe profesione të reja për përgatitje profesionale të punëkërkuesve gjakovarë, do të pajiset me mjetet më moderne dhe kryekëput do të jetë në shërbim të punëkërkuesve të regjionit të Gjakovës. Objekti pritet të përfundoj së ndërtuari në fundin e këtij viti.