Në javën e promovimit të aftësimit profesional, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, vizitoi edhe Qendrat e Aftësimit Profesional(QAP) në Prizren, Gjakovë dhe Pejë, ku takoi shumë kandidatë, të rinj dhe të reja, që po ndjekin kurse të aftësimit në këto qendra.
Në Prizren, ministri takoi edhe të certifikuarën, Natyra Muhameti e cila ka përfunduar trajnimin në rrobaqepësi dhe vetëpunësim, si dhe ka hapur biznesin e saj privat.
Tutje, ministri vizitoi QAP në Gjakovë dhe Pejë, ku pa nga afër punën që po bëhet në këto qendra aftësuese. Në Pejë, ministri takoi Blerim Zekajn, i certifikuar në zdrukthëtari dhe ka hapur biznesin e tij ndërkaq në Pejë, takoi Krenare Gorancin e certifikuar në profesionin floktari e cila po ashtu ka hapur biznesin e saj.
Nga të certifikuarit, ministri u njoftua rreth përfitimeve që ata kanë nxjerrë nga trajnimet në QAP dhe bizneseve që kanë hapur, në bazë të njohurive të marra në këto qendra.
“Sot vizitova Qendrat e Aftësimit Profesional që Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Nga përfaqësuesit e qendrave dhe kandidatët që po ndjekin kurse aktualisht, u njoftova rreth aftësimeve që ata po marrin në profilet përkatëse. Takova edhe shumë të rinj e të reja që janë certifikuar pranë këtyre qendrave në profile të ndryshme dhe kanë hapur bizneset e tyre. Kjo është edhe një arsye më shumë për t’i ftuar sa më shumë qytetarë që të regjistrohen pranë Zyrave të Punësimit dhe të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional”, tha ministri Reçica.
Ministri shtoi se aftësimi profesional, në kuadër të masave aktive të tregut të punës, i paraprinë punësimit dhe si i tillë bënë pjesë në prioritetet kyçe të MPMS-së.
Në javën e promovimit të aftësimit profesional, ministri Reçica paraprakisht ka vizituar QAP në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.