Prishtinë, më 18 shtator 2018
Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica u takua sot me drejtoreshën e Komitetit të Grave të Verbëra të Kosovës(KGVK), Bajramshahe Jetullahu dhe përfaqësues të këtij Komiteti, me të cilët bisedoi rreth pozitës së të verbërve në Kosovë dhe bashkërendimit të veprimeve me qëllim të përkrahjes më të madhe të kësaj kategorie, veçanërisht femrave.
Ministri Reçica tha se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është e përkushtuar për t’u dhënë përkrahjen e merituar kategorive më të cenueshme në bazë të kapaciteteve që ka, me qëllim të sigurimit të një mirëqenie të duhur për to.
“MPMS është duke punuar në krijimin e një ligji gjithëpërfshirës për persona me aftësi të kufizuara me anë të së cilit do të avancohet trajtimi ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe do të shmangen problemet që e kanë shoqëruar këtë kategori deri më tani”, tha ministri Reçica.
Nga ana e saj, drejtoresha Jetullahu e falënderoi ministrin Reçica për pritjen dhe gatishmërinë për të përkrahur këtë kategori. Ajo e njoftoi ministrin për aktivitetet me të cilat merret Komiteti i Grave si dhe rreth pozitës së grave të verbëra në Kosovë dhe nevojave që ato kanë.