Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, mori pjesë në përurimin e rregullimit të shtratit të lumit në fshatin Gadime e Ulët. Ky projekt është realizuar në kuadër të programit “Kosova e bukur II”, në bashkëpunim me MPMS-në dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, ndërsa është implementuar nga IOM-i
Ministri Abrashi falënderoi Zyrën e BE-së dhe IOM-in, për realizimin e këtij projekti, i cili është duke u financuar nga programet e IPA-s të Komisionit Evropian. “Projektet që janë duke u realizuar nga ky program, përveç që kanë krijuar kushte më të mira për mjedis dhe infrastrukturë më të mirë publike komunale, gjatë realizimit të këtyre projekteve janë duke u krijuar mundësi më të mëdha punësimi” tha ai.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Mr. Libor Chlad. Ai i përgëzoi banorët e fshatit për projektin e realizuar duke premtuar se edhe në të ardhmen do të financohen projekte të ngjashme në shërbim të qytetarëve.
Me rastin e përurimit, përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti. Kryetari Ahmeti duke falënderuar donatorët dhe implementuesit e projektit, kërkoi që ky projekt të vazhdojë tutje deri në kompletimin e tij edhe vitin e ardhshëm.