Ministri Abrashi viziton familjet në asistencë sociale, premton përkrahje të mëtejshme pas rritjes së të ardhurave

Prishtinë, 8 dhjetor 2015

 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, vizitoi sot familjen e Brahim Bajokut, një nga familjet përfituese të asistencës sociale.

 

Ministri Abrashi, pa nga afër zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen prej 25% të të ardhurave për të gjitha familjet të cilat përfitojnë nga skema e asistencës sociale.

 

Duke iu referuar përmbushjes së premtimit për rritjen e asistencës sociale, Abrashi tha se ky vendim tashmë ka filluar të implementohet, duke bërë të ditur se përfitues të kësaj skeme janë 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë.

 

Ministri Abrashi theksoi, po ashtu, se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e gjendjes sociale të njerëzve në nevojë, ndërsa nga muaji janar, siç bëri të ditur ai, do të bëhet rritja edhe për kategorinë e pensionistëve kontributdhënës.

 

“Këto vendime të Qeverisë së Kosovës synojnë përmirësimin e kushteve të jetës së këtyre kategorive të qytetarëve tanë,  të cilët do të kenë përkrahej të mëtejshme konkrete nga ana e Qeverisë”, tha Abrashi.

 

Gjatë vizitës na familjen Bajoku, ministri Abrashi, ndau edhe dhurata modeste për fëmijët e kësaj familje.

Kryefamiljarët e familjes Bajoku falënderuar ministrin Abrashi për përkrahjen e ofruar dhe për rritjen e asistencës sociale, prej 25% e cila njëherit ka ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies sociale të kësaj familje.