Ferizaj, më 14 qershor 2016
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z.Arban Abrashi, sot përuroi përfundimin e punimeve në projektin “Rrethimi i varrezave” në fshatin Dubravë, komuna e Ferizajt. Në këtë ceremoni mori pjesë përfaqësuesi i Zyrës Evropiane, Kristof Stock dhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa.
Në fjalën përshëndetëse, minisri Abrashi tha se ky projekt ndërlidhet me vetë emrin e projekteve të BE-së “Kosova e bukur”, dhe tani i realizuar, është i tëri në funksion të komunitetit.
Ai tha se ky bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes BE-së, MPMS-së dhe Komunës së Ferizajt, do të jetë model edhe për komunat tjera se si bëhen punët e mira. Abrashi ka falënderuar zyrën e BE-së dhe z.Stock për bashkëpunimin e mirë në këtë projekt. Abrashi ka shtuar se ky projekt përveç se i përfunduar me kohë dhe me sukses, ka rezultuar me punësimin 97 të rinjve, ku 69 prej tyre kanë qenë të regjistruar si punëkërkues në Ministrinë e Punës, ndërsa në kontigjentin e të punësuarve kishte edhe persona me aftësi të kufizuara. Ai është zotuar se MPMS do të mbështesë komunitetet edhe në projektet tjera në të ardhmen.
Përfaqësuesi i BE-së Kristof Stock, në përurirmin e projektit tha se ana më e mirë e këtij projekti është punësimi i të rinjve. Ai ka përshëndetur partnerët e implementimit të projektit, duke potencuar se një pjesë e tij është financuar edhe nga Komuna e Ferizajt, ndërsa përzgjedhja e punëtorëve është bërë në bashkëpunim me MPMS-në. Stock porositi përfituesit e këtij projekti, që të përkujdesen për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave, të cilat tani e tutje do të jenë në shërbim të komunitetit.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se përkundër vështirësive buxhetore, komuna ka bërë të mundur që komunitetet mos të anashkalohen. Ai ka premtuar se më 2017, buxheti i komunës do të marrë në konsideratë edhe projektet për komunitetet RAE.
Shuma e përgjithshme e projektit ka kushtuar 74.889 euro, përfshirë edhe kontributin e Komunës së Ferizajt me 25 mijë euro.