Në kuadër të vizitave të planifikuara, KNSSHP, ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës. Me këtë rast Këshilli u njoftua nga menaxhmenti i KEK-ut, përkatësisht UD i Drejtorit Menaxhues, Nijazi Thaqi me bashkëpunëtorë për gjendjen dhe kushtet e punës në gjigantin energjetik të Kosovës. Kryesuesi i Këshillit për Siguri dhe Shëndet në Punë, zëvendësministri Çerkin Dukolli, u informua me rregulloret dhe masat mbrojtëse që aplikon KEK-u në vendet e punës. Si rezultat i veprimeve adekuate, numri i të lënduarve është reduktuar minimalisht. Brenda këtij nëntëmujori u raportua se ka pasur shumë pak lëndime dhe vetëm një rast me fatalitet.
Zëvendësministri Dukolli ka mirëpritur raportin me rezultatet e minimalizuara të aksidenteve, duke inkurajuar menaxhmentin që të vazhdojë edhe më tutje në ngritjen e masave konkrete të sigurisë dhe shëndetit në punë. Ai ka shtuar se pavarësisht interesave dhe përfitimeve që ka Kosova nga korporata energjetike, jetët e njerëzve janë më të shtrenjta dhe më të vlefshme.
Dukolli u informua se sistemi i sigurisë është i harmonizuar me Ligjin për siguri dhe shëndet në punë, dhe këtë sistem KEK e aplikon në dy nivele, në nivel korporate dhe në nivel të divizioneve, njësive Kosova A dhe B, dhe minierave. Në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë, KEK-u ka një komitet për siguri i cili takohet njëherë në muaj. Në kuadër të masave parandaluese punëtorët vazhdimisht dërgohen në vizita sistematike për të konstatuar gjendjen e tyre fizike, psikike dhe emocionale.
Po kështu sot, Këshilli ka vizituar edhe minierën jug-perëndim të Sibofcit, punën e ekskavatorëve atje dhe njësinë e prodhimit të energjisë, Kosova A. Zëvendësministri Dukolli përgëzoi punëtorët dhe menaxhmentin për punën e mire që po bëjnë, përkundër kushteve dhe makinerisë së vjetruar. Ai u shpreh i kënaqur me të dhënat për gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Ajo që vlen të potencohet është se në minierë që nga viti 2008 në sektorin e minierave e deri më sot nuk ka pasur asnjë humbje të jetës së punëtorëve e as lëndime, falë angazhimit të menaxhmentit , kushteve të punës dhe syçeltësisë së punëtorëve. Në këta takim, Këshilli diskutoi me menaxhmentin, për të shkëmbyer ide e propozime për zgjidhjen e statusit të Institutit të Mjekësisë së Punës në Obiliq. Ata u dakorduan që të punohet në këtë drejtim dhe të dilet më një rekomandim për Qeverinë, se ç’të bëhet më tutje me fatin e Institutit.
Në kuadër të bashkëpunimit me shoqërinë civile KNSSHP, sot kishte ftuar në cilësinë e vëzhguesit edhe OJQ-të që trajtojnë çështjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Qendra për Avokim të Politikave (QPA).