Prishtinë, më 22 prill 2016
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti sot një grup investitorësh nga Turqia. Abrashi i njoftoi ata me mundësitë dhe lehtësirat që ofron Kosova për investitorët e huaj.
Interesimi i afaristëve nga Turqia u fokusua në industrinë ushqimore dhe në atë të përpunimit të autopjesëve. Po ashtu, ata u interesuan për ambientin e investimeve dhe kushtet që ofron vendi ynë për të bërë biznes në Kosovë.
Ministri Abrashi, i njoftoi ata se Kosova ofron kushte shumë të favorshme për investimet e huaja, në veçanti atyre investimeve që gjenerojnë vende pune. “Ne ofrojmë një ambient shumë të mirë të të bërit biznes, përfshirë marrjen e tokës në shfrytëzim, lirime doganore për lëndën e parë dhe shumë lehtësira tjera fiskale”. Përveç përfitimit të dyanshëm, ai i siguroi ata se Kosova ka avancuar shumë legjislacionin, i cili garanton siguri dhe ambient të përshtatshëm për afaristët e huaj.
Abrashi ka shtuar se përveç ambientit të mirë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ndihmon shumë edhe me projekte të veçanta, si: trajnime profesionale falas dhe subvencionim të pagave.