Ministri i MPMS-së, z. Arban Abrashi ka pritur, në ambientet e Qendrës për Aftësime Profesionale të Prishtinës, Komisionerin e BE-së për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, zt. Tibor Navracsics, i cili po qëndron në një vizitë pune në vendin tonë e që shoqërohej edhe nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Samuel Zhbogar.
Ministri Abrashi ka informuar mysafirët për të arriturat dhe sfidat në fushën e punësimit, aftësimit profesional të punëkërkuesve të regjistruar si të papunë dhe në fushën e mirëqenies sociale.
Z. Abrashi gjithashtu ka shpalosur planet për të ardhmen, në veçanti ato që kanë të bëjnë me fuqizimin e qendrave për aftësim profesional, përmes pasurimit të programeve të tyre të trajnimit, ndërlidhjen më të mirë të këtyre programeve me nevojat e tregut të punës, mundësitë për partneritet publiko privat si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe ofruesit e tjerë të këtyre shërbimeve.
Z. Navracsics u interesua për programet përkrahëse të BE-së në Kosovë, ndërsa në kontekst të përkrahjes aktuale dhe atë vijuese nga ana e BE-së, janë elaboruar masat aktive të tregut të punës, reformat që planifikohen në pensione dhe shërbime sociale dhe ngritjen profesionale përmes trajnimeve në sektorët që premtojnë.