Prishtinë, më 10 tetor 2018
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli mori pjesë në tryezën ‘Gjendja e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë’, e organizuar nga Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë dhe Qendrës për Avokim të Politikave .
Me këtë rast zëvendësministri Dukolli, i cili njëherësh është edhe kryesues i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, tha se shëndeti dhe siguria në punë, është një prioritet institucional, i cili para se të jetë obligim ligjor, në kuptimin e punësimit dhe çështjeve sociale, mbi të gjitha është çështje humane ngase kemi të bëjmë me ruajtjen e shëndetit dhe jetës së njeriut. Ai ka nënvizuar se aksidentet në punë, të cilat janë evidentuar dhe janë duke ndodhur në vend punishtet e Republikës së Kosovës, qofshin ato me lëndime apo me fatalitet janë shqetësuese për neve si shoqëri dhe në këtë kuptim po angazhohemi që të kemi adresime konkrete nga të gjithë mekanizmat relevantë për të parandaluar këtë situatë.
Dukolli ka shtuar se institucionet e Kosovës po ndërmarrin hapa ambiciozë në këtë fushë, jo vetëm duke harmonizuar legjislacionin me BE-në, por edhe duke ndërtuar trupa inspektuese. “Përtej saj çdo vit po ndërmarrim fushata vetëdijësuese me qëllim që të informojmë palët për detyrimet që kanë në raport me aktet juridike të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë. Në këtë kuptim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar edhe Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili në kompetenca të veta ka propozimet, rekomandimet dhe hartimin e politikave për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përcjelljen në vazhdimësi të gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë të të punësuarve”.
Për të kontribuuar dhe rritur edhe më tutje sigurinë dhe shëndetin në punë, Këshilli ka marrë angazhime serioze duke hartuar dhe miratuar planin e punës të veprimit dyvjeçar të Këshillit 2018 – 2019, duke paraparë objektiva dhe aktivitete të caktuara në funksion të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë. “Gjatë vizitave të realizuara në teren, qoftë në kompani publike apo private, Këshilli ka dhënë vërejtjet e veta dhe ka bërë thirrje punëdhënësve që të ofrojnë kushte të sigurta pune e gjithsesi ka inkurajuar Inspektoratin e Punës që të mbikëqyrë në plotëni implementimin e ligjeve në fuqi”.
Në kuadër të masave preventive KNSSHP është duke shqyrtuar çështjen e sëmundjeve profesionale që mund të fitohen si pasojë e vendit të punës, dhe në këtë kuptim i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të hartojë regjistrin e këtyre sëmundjeve. “Po ashtu kemi inkurajuar dy institutet e mjekësisë së punës në Gjakovë dhe Obiliq, që të realizojnë me profesionalizëm të gjitha vizitat sistematike të punëtorëve dhe ekzaminimet e nevojshme që kërkohen” tha Dukolli.
Në këtë tryezë u raportua se për këta nëntë muaj të këtij viti kemi 18 raste më fatalitet.
Nga këto dy vdekje natyrore dhe 78 lëndime. “Kjo situatë nuk është aspak e mirë dhe kërkon adresime konkrete. Të dhënat që posedojmë, nga vizitat që kemi realizuar në teren dhe shqyrtimet e bëra rreth kësaj teme, ne po shkojmë drejt identifikimit të sektorëve që paraqesin rrezikshmërinë më të lartë. Në këtë rast ndërtimtaria si punëdhënësi më i madh në vend mbetet sektori më i rrezikuar, sigurisht edhe për specifikat e këtij sektori, pasuar nga energjetika, sektori i shërbimeve, prodhimit”, ka potencuar Dukolli.
Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, Dukolli ka apeluar të gjithë punëdhënësve që të krijojnë ambiente të sigurta pune, si dhe punëtorëve, që të kujdesen për sigurinë e tyre dhe të tjerëve dhe të përdorin pajisjet e duhura për siguri dhe mbrojtje në punët e tyre specifike.
Në funksion të sigurisë dhe shëndetit në punë, Dukolli tha se, Këshilli është i hapur dhe po bashkëpunon mirë, përtej mekanizmave institucional edhe me shoqërinë civile. “Tanimë kemi OJQ (si IKS dhe QPA) që në cilësinë e vëzhguesit po e përcjellin punën tonë, edhe në takime por edhe në aktivitete në terren dhe në këtë drejtim ne sigurojmë bashkëpunim të sinqertë me të gjithë ata akterë që me përvojat e tyre mundë të kontribuojmë që vendet tona të punës të jenë më të sigurta.
Veç këtyre aktiviteteve ai njoftoi pjesëmarrësit në këtë tryezë se MPMS, shumë shpejt do të fillojë të hartojë edhe strategjinë për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Në këtë tryezë morën pjesë organizatat sindikale vendore, BSPK, SBASHK, OEK-u, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile që trajtojnë çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia.