Në kuadër të bashkëpunimit me UNDP-në dhe me qëllim të zgjerimit të mundësive në masat aktive të tregut të punës, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, zhvilloi disa takime me përfaqësues të Zyrës Regjionale të UNDP-së për Euro-Azi, me seli në Stamboll.
Reçica takoi udhëheqësen e ekipit mbështetës të zyrës, Matilda Dimovska me të cilën diskutoi rreth ndërtimit të kapaciteteve dhe implementimit të përbashkët të projekteve për rritje të punësueshmërisë në Kosovë, sidomos të të rinjve, nëpërmjet masave aktive të tregut të punës.
Reçica zhvilloi edhe një takim me Sahba Sobhani, nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillim të Sektorit Privat, me të cilin bisedoi rreth përvojave të UNDP-së, të realizuara në vende të tjera, rreth bashkëpunimit me sektorin privat për aftësimin, riaftësimin e të rinjve, me qëllim krijimin e vende të reja të punës, duke përmbushur nevojat e tregut të punës.