Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahmani, sot vizitoi Qendrën e Komuniteteve “Fidan Lahu” në Fushë Kosovë. Në prag të festave të fundvitit zv.ministri Rrahmani, në emër të MPMS-së dhuroi 100 pako modeste për fëmijët e nxënësit e Qendrës së Komuniteteve. Gjatë bashkëbisedimit me fëmijët, ai i porositi ata që të mësojnë shumë, dhe të zgjedhin një profesion me të cilin ata do të bëhen të vyeshëm për vetveten, për komunitetin dhe shoqërinë. Zv.ministri Rrahmani u premtoi atyre se MPMS, do të përkujdeset në vazhdimësi jo vetëm në raste festash, por do t’u gjendet pranë edhe në të ardhmen në zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e gjendjes sociale.
Me këtë rast, edhe koordinantori i Qendrës së Komuniteteve, romë, ashkalinj dhe egjiptas, Rrahman Stollaku, theksoi se kjo nuk është hera e parë që MPMS përkujdeset ndaj fëmijëve të Qendrës dhe komuniteteve në tërësi. Duke falënderuar zv.ministrin, Rrahmani, ai tha se përkujdesja e MPMS-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen.