Ministri Abrashi merr përkrahje konkrete të Maltës në punësim dhe mirëqenie sociale

Valletta, 21 mars 2016

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, gjatë vizitës në Maltë, sot ka zhvilluar takime zyrtare me ministrin për Familje dhe Solidaritet Social, Michael Farrugia, ministrin e Arsimit dhe Punësimit, Evarist Bartolo dhe drejtuesit e lartë të sektorëve që merren me shërbimet sociale, mirëqenien dhe punësimin në Qeverinë e Maltës.

Gjatë takimeve është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maltës në këto fusha, për përkrahjen e Maltës për Kosovën si dhe për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale në aspekte tjera, në kuadër të shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.

Ministri Abrashi dhe ministri Farrugia kanë mbajtur një konferencë për gazetarë ku kanë shpalosur detajet e takimeve që janë zhvilluar gjatë vizitës së delegacionit kosovar në Maltë.

Ministri Arban Abrashi falënderoi për përkrahjen vazhdueshme të Maltës në ndërtimin shtetit të Kosovës.

“Kosova po ndërmerr reforma në sistemin pensional, po reformojmë sektorët dhe skemat sociale. Kryesisht ajo që ne kërkojmë tani është ekspertiza e Maltës që të arrijmë standardet evropiane”, tha Abrashi.

Ministri Farrugia shprehu përkrahjen e mëtejshme të Maltës për anëtarësimin e Kosovës në forume të ndryshme ndërkombëtare.

“Malta mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën edhe në trajnimin e zyrtarëve publik”, tha ministri Farrugia, duke theksuar mbështetjen e shtetit të tij edhe për aspekte tjera që lidhen me mirëqenien sociale e ekonomike.

Gjatë takimit është biseduar edhe për mundësitë e punësimit të profesionistëve të ndryshëm nga Kosova në Maltë.