SharrCem dhe Mabco nderohen për praktikat e mira për shëndetin dhe sigurinë në punë

Miliona punëtorë në të gjithë Evropën vijnë shpesh në kontakt me substanca të rrezikshme në vendin e punës, dhe përdorimi i substancave të tilla po rritet. Ky ekspozim mund të ketë efekte negative në shëndetin e punëtorëve dhe aftësinë e tyre për të punuar në  kohë të gjatë, kështu që parandalimi  I rreziqeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Midis 21 dhe 25 Tetorit 2019, Agjensia Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë (EU-OSHA) së bashku me rrjetin e saj të partnerëve, përfshirë Kosovën, përmes një serie aktivitetesh shënuan Javën Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë. Kjo fushatë synon të rrisë vetëdijen për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe promovon parandalimin e rrezikut aktiv dhe pjesëmarrës. Fokusi i Javës Evropiane të këtij viti ishte Menaxhimi i substancave të Rreziqeve.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Inspektorati i Punës, i mbështetur nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje për Inspektoratin e Punës në luftimin e punës së padeklaruar”, organizuan një seri aktivitetesh për të shënuar këtë javë.

Në Kosovë kjo javë kulmoi me një konferencë ku ekspert të sigurisë dhe shëndetit në punë  trajtuan çështje të tilla si zbatimi i direktivave të BE-së të ndërlidhura me shëndetin dhe sigurine në punë,  rreziku nga substancat e rrezikshme në vendet e punës dhe ndanë praktika të mira të sigurisë dhë shëndetit në punë.

Duke hapur konferencën, Dardan Sadriu nga Zyra Evropiane në Kosovë, theksoi rëndësinë e fushatave të tilla. “Investimi për sigurinë dhe shëndetin në punë është i dobishëm për punëtorët dhe bizneset,” tha ai.

Ndërsa, Valon Leci, Ushtrues i Detyrës së Shefit të Inspektoratit të Punës theksoi rëndësinë e shëndetit dhe sigurisë dhe u zotua që Inspektorët e Punës do të jenë të rreptë në zbatimin e ligjit në fuqi dhe Udhëzimet administrative që sigurojnë shëndet dhe mjedis të sigurt për punëtorët.

Nga ana tjetër, z. Ivars Vanadzins, Drejtor i Institutit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë nga Letonia dhe dhe Znj Linda Matisane nga Inspektorati Shtetëror i Punës në Lituani, ishin ndër folësit kryesorë të kësaj konference. Ata diskutuan me përfaqësuesit e bizneseve, inspektorët e punës, ekspertët e PSH dhe organizatat e shoqërisë civile në lidhje me kornizën ligjore që rregullon shëndetin dhe sigurinë në vendet e punës dhe praktikat e mira në parandalimin e faktorëve të rrezikut në vendin e punës.

Në kuadër të kësaj fushate, Kosova organizoi gjithashtu konkursin e parë kombëtar për Konkursin  e Praktikës së Mirë, konkurs që synon të njohë kontributet e jashtëzakonshme dhe inovative për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe të frymëzojë kompani të tjera për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të rritur aftësinë e punës së punëtorëve të tyre.

Në një ceremoni në Prishtinë, Inspektoriati i Punës i Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shpallën fituesin e këtij konkursi dhe përgëzuan shembuj të organizatave që marrin një qasje inovative për të trajtuar me sukses rreziqet e paraqitura nga substanca të rrezikshme.

Fitues i këtij konkursi u shpall ndërmarrja SharrCem  përderisa edhe ndërmarrja Mabco u nderua për zbatim të praktikave të mira.

Për të festuar kontributet e këtyre organizatave për të përmirësuar sigurinë dhe shëndetin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për praktikat e mira të zbatuara, secila nga organizatat e dhëna mori një trofe dhe një çertifikatë.