Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
Berza e Punësimit Kosova 2011” u mbajtë edhe në Prishtinë

Edhe sot në Prishtinë vazhdoi aktiviteti i projektit për punësim me hapjen e Berzës së Punësimit Kosova 2011 përmes një bashkëpunimi të ndërsjellë në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Aleancës Kosovare të Biznesit.

Ky projekt i nënshkruar muaj më parë nga MPMS dhe AKB dhe i cili konsiderohet se do të ndikoj në zbutjen e papunësisë qëllim kryesor ka gjetjen e mundësisë dhe shkëmbimin e informacioneve të nevojshme të tregut të punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Nenad Rashiq i cili ishte i pranishëm gjatë mbajtjes së berzës inkurajoi të rinjtë të aplikojnë për vende pune duke u zotuar se ai dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë në vazhdimësi me përgatitjen e strategjive të punësimit dhe gjetjen e mundësive reale për projekte që do të ndikojnë në zhvillimin e punësimit në forma të ndryshme.

“Mbajtja e kësaj berze është me të vërtetë një mundësi e mirë për punëkërkuesit por edhe në të ardhmen unë dhe Qeveria e Kosovës nuk do të dorëzohemi kurrë duke gjetur mënyra dhe projekte tjera të rëndësishme të punësimit për të ardhur deri tek punësimi i të papunëve”, shtoi z. Rashiq.

Numri i Kompanive që ishin prezente në hapjen e kësaj Berze të Punësimit ishte gjithsejtë 100 të cilët shprehen gatishmërinë për marrjen e punëkërkuesve në punë.

Në këtë takim mori pjesë edhe Zëvendës Drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim z. Guido Beltrani i cili njoftoj të pranishmit se do të fillohet me hapjen e një web-faqe të re nga Ambasada Zvicerane e cila do të mundësoj një lidhje të re në mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve.

Ndërkaq z. Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se vitin e kaluar ky projekt ka rezultuar të ketë gjithsejtë 1300 të punësuar nga kompanitë e ndryshme duke përfshirë këtu të gjitha regjionet e Kosovës.

Gjatë këtij takimi në mesin e punëdhënësve, punëkërkuesve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës znj. Gjylinaze Novobërdaliu-Gola, Udhëheqëse e Divizionit për Harmonizimin e Legjislacionit në MPMS në mënyrë të hollësishme dha interpretime ligjore për Ligjin e Punës duke vënë me theks të veçantë interpretime mbi të drejtat e punëtorëve dhe përgjegjësit e punëdhënësve karshi detyrimeve që i obligon ky ligj.