Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
Punësimi i një anëtari të secilës familje: Limaj dhe Reçica vazhdojnë takimet me qytetarët
Ferizaj, më 03 maj 2018

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, së bashku me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, po vazhdojnë takimet me familjet përfituese të asistencës sociale, me qëllim të jetësimit të projektit për punësimin e një anëtari të secilës familje që nuk e kanë asnjë të punësuar, e që kanë të paktën një anëtar të aftë për punë.

Ministri Reçica dhe Zëvendëskryeministri Limaj janë takuar me familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale në Komunën e Ferizajt, ku kanë diskutuar për mundësinë e punësimit të këtyre anëtarëve, duke i përfshirë në masat aktive të tregut të punës.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova ka kapacitet që brenda afatit të paraparë që të gjitha familjet që mund të punojnë të kenë nga një vend pune. 

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punës, sipas Limajt, kanë kapacitet me iu ofru të gjithë juve që jeni të afte më punu mundësinë për të punuar.
“Ju keni shumë probleme, pakënaqësi e shqetësime, por përpjekja jonë dhe e juaj është për një jetë më të mirë. Është e pamundur të sigurohet një mirëqenie me një asistencë sociale. A ka mundësi shteti me rritë ndihmën sociale, jo, nuk ka mundësi më rritë ma shumë. Rruga është me i përvjel mëngët e me punu”, ka theksuar Limaj.

Më tutje, Limaj ka thënë se më mirë është me punu për 350 euro se sa me prite një ndihmë sociale nga shteti. “Nuk është krejt te paraja, por te shprehia e punës. Kemi nevojë për shprehi të punës. Ajo çka po kërkojmë ne, është t’i ndihmojmë njëri tjetrit. Pres nga ju ta kuptoni këtë mision që komuna dhe qeveria e posaçërisht ju, ta mbështesim fort njëri tjetrin dhe edhe në këtë komunë të mos kemi raste kur një familje nuk e ka askënd të punësuar”, ka shtuar Limaj.

Duke u larguar nga ndihma sociale, Limaj ka thënë se do t’i ndihmonin atyre familjeve që nuk mund të punojnë. Ai i ka lutur këto familje që t’u drejtohen zyrave te punësimit dhe  të nisin punën.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, tha se MPMS është e përkushtuar në zbatimin e normave ligjore dhe hartimin  e politikave në rritjen e punësimit. Duke mos qenë të kënaqur me aq sa është bërë deri më tani për këto familje, ministri tha se është parë e nevojshme të niset me këtë projekt të rëndësishëm. “Papunësia në Kosovë nuk do të  mbetet vetëm brengë e juaja, kjo tashmë është brengë dhe përkushtim i yni, që ta luftojmë dhe mposhtim bashkërisht. Ju ftoj që këtë takim ta shohim bashkërisht si një partneritet i përbashkët, me qëllim të zbutjes së papunësisë”, tha ministri.

Ky projekt,  sipas ministrit, shkon përtej politikave të MPMS-së për punësim dhe ka përkrahje të fuqishme nga qeveria e vendit, veçanërisht nga zëvendëskryeministri Limaj. “Një numër i konsiderueshëm i përfituesve, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike nuk kanë mundur të përgatiten profesionalisht. I ftoj të gjithë që të paraqiten pranë Zyrave të Punësimit dhe të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional, për të marrë trajnimet e nevojshme në një mori profilesh që ofrohen aty”, tha Reçica.

Ministri tha se QAP-at janë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u aftësuar në një laramani profilesh që ofrohen në këto qendra dhe për t’u bërë pjesë e tregut të punës.
Reçica tha se, MPMS është në kontakte të vazhdueshme edhe me biznese dhe ndërmarrje të ndryshme të cilat kanë shfaqur gatishmërinë që të ofrojnë mundësi punësimi. Gjithashtu MPMS është duke punuar intensivisht me disa shtete të BE-së për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal të qytetarëve tanë.

"Rritja e punësimit është ndër prioritet tona kryesore dhe nuk do të lejojmë që të ketë familje pa asnjë të punësuar", tha ministri.
Ministri tregoi se në fillim të këtij viti, me vendim qeverie është rritur asistenca sociale për 20% në kuadër të përpjekjeve për të rritur sado pak mirëqenien sociale dhe përpjekjet do të vazhdojnë edhe me angazhime tjera konkrete, kurse prioritet është rritja e punësimit.

Paraprakisht, Ministri Reçica dhe zëvendëskryeministri Limaj ishin takuar me familjet përfituese të asistencës sociale në komunat, Suharekë dhe Prizren, ndërkaq këso takimesh do të vazhdojnë edhe në komunat tjera të Kosovës.