Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
MPMS lanson Strategjinë Sektoriale 2018-2022 dhe Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë sot lansimin e dy dokumenteve strategjike të cilat si pjesë e agjendës evropiane, kanë për qëllim kryesisht ngritjen e mirëqenies dhe zgjidhjen e punësimit për të rinjtë e shtetit të Kosovës.

Lansimi i Strategjisë Sektoriale 2018-2022 si dhe lansimi i Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve u bënë sot gjatë një konference të organizuar nga MPMS.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica tha se këto dokumente që lansohen sot janë pjesë e dokumenteve strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe pjesë e Agjendës Evropiane që synojnë zhvillimin e vendit, punësimin dhe aftësimin profesional dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e vendit.
“Ka qenë nevojë e kahershme që MPMS të hartojë dhe miratojë Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Punësimit të të Rinjve, sepse në bazë të mandatit të saj, përkujdeset në mënyrë gjithëpërfshirëse për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë sonë dhe tashmë kjo po realizohet”, tha ministri Reçica.

Ministri tutje shtoi duke marrë për bazë se papunësia është ndër problemet më të mëdha në vend, Strategjia Sektoriale dhe Plani i Veprimit për Punësimin e të Rinjve synon të përmirësojë këtë gjendje, sidomos për punësimin e të rinjve.
“Fokusi është edhe tek aftësimi profesional i të rinjve, orientimi në karrierë, vetëpunësimi dhe prioriteti i synuar. Punësimi i një anëtari të familjeve të cilët nuk kanë asnjë të punësuar”, tha Reçica.

I pranishëm në konferencë ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili u shpreh mjaft optimist në fillimin e zbatimit konkret të kësaj strategjie e cila sipas tij, do të jetë dokument që do shpie drejt kyçjes së të rinjve në tregun e punës.
“Sot jam i kënaqur që Ministria dhe ministri Reçica po e fillon zbatimin konkret të strategjisë së paraparë për punësimin e të rinjve duke identifikuar veprimet dhe duke i kalkuluar ato”, ka thënë ndër tjerash Haradinaj.

Ndërkaq përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri ofroj mbështetjen e Zyrës së BE-së në Kosovë ku tha se si palë e involvuar në këto strategji, punësimi i të rinjve do të jetë gjithashtu prioritet i agjendës evropiane.