Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
Ministri Reçica fton të rinjtë të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional
Prishtinë, më 26 mars 2018

Në kuadër të promovimit të masave aktive të tregut të punës, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, vizitoi Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP) në Prishtinë dhe Mitrovicë, në të cilat ofrohen shërbime të aftësimit dhe riaftësimit profesional.

Në QAP në Prishtinë, ministri takoi të rinj dhe të reja, ndër ta disa me studime pasuniversitare të përfunduara që aktualisht janë duke ndjekur trajnim.
Po ashtu, ministri takoi edhe disa të rinj me sindromën down, të cilët po aftësohen në këtë qendër, në bazë të marrëveshjes në mes të MPMS-së dhe shoqatës “Down Sindrome Kosova”, për aftësim profesional të 30-45 të rinjve me këtë sindromë, në qendrat në Prishtinë, Mitrovicë dhe Prizren.

Ministri Reçica uroi të rinjtë për punën që po bëjnë si dhe përgëzoi përfaqësuesit e QAP për angazhimin  e palodhshëm.
"Ju bëjë thirrje sa më shumë të rinjve që të regjistrohen pranë Zyrave për Punësim dhe të vijnë të vizitojnë qendrat tona të Aftësimit Profesional ngaqë aty ekzistojnë një mori profilesh dhe është një mundësi e mirë për tu aftësuar dhe për tu bërë pjesë e tregut të punës", tha ministri.

Tutje, ministri vizitoi QAP në Mitrovicë ku u informua nga të rinjtë dhe përfaqësuesit e qendrës rreth trajnimeve të cilat po zhvillohen në fusha si, Ndërtimtari,  Informatikë, Kuzhinë, Rrobaqepësi, etj.
Në Mitrovicë, ministri takoi edhe znj. Shehrije Carani e cila ka përfunduar aftësimin profesional në QAP dhe është certifikuar në profesionin kuzhiniere, ku më pas është punësuar në kopshtin e fëmijëve "Gëzimi Ynë" në Mitrovicë.
Znj. Carani tha se trajnimi që ka ndjekur i ka shërbyer shumë për tu aftësuar dhe për të gjetur punë menjëherë pas përfundimit të aftësimit në qendër. 

Gjatë vizitës në kopshtin ku znj. Carani punon, ministri Reçica tha se shembulli i saj duhet të shërbejë si një model suksesi dhe njëherit ftoi gratë që të bëhen pjesë  e trajnimeve të ofruara në QAP në Mitrovicë.
Ministri shtoi se aftësimi  dhe riaftësimi profesional janë çelës për zbutjen e papunësisë në vend dhe gjithashtu  ndër prioritetet kryesore të MPMS-së.