Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
Makolli mori pjesë në konferencën, kushtuar grupeve të margjinalizuara
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli mori pjesë në konferencën e organizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim dhe në partneritet me USAID, me temën  “Zbatimi i obligimeve institucionale në përmirësimin e të drejtave të grupeve të margjinalizuara”.

Në fjalën e tij të rastit, zëvendësministri Makolli tha se Republika e Kosovës, duke respektuar parimet ndërkombëtare, përpos që ka garantuar me ligj të drejtat dhe liritë e qytetarit, ka bërë edhe politika të zhvillimit, të ndërtimit dhe avancimit të mirëqenies për të gjithë qytetarët e vet, duke respektuar normat dhe parimet juridike. 

“Njëri ndër ligjet që rregullojnë këto çështje është edhe Ligji Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin  nr.05/L-078. Përveç përkrahjes institucionale ky ligj obligon punëdhënësit që të punësojnë një person me aftësi të kufizuar në çdo 50 punëtorë. Kur kjo nuk respektohet punëdhënësi obligohet që të paguajë në buxhetin e Kosovës kontribute mujore në lartësi prej një page minimale”, tha ai. 

"Me qëllim të avancimit dhe përmirësimit të pozitës së grupeve të margjinalizuara, MPMS në bashkëpunim me grupet e interesit, është duke hartuar aktet nënligjore sekondare. të cilat burojnë nga ligji në fuqi, e për të cilat konsiderojmë se do të kompletohet në tërësi korniza ligjore, ka shtuar ai. 

Zëvendësministri Makolli ka potencuar se korniza ligjore është vetëm një instrument i cili rregullon dhe përcakton bazën ligjore në përgjithësi, mirëpo për adresimin me sukses të pozitës së grupeve të margjinalizuara nevojitet bashkëpunimi edhe koordinimi i institucioneve që ndërlidhen drejtpërdrejtë ose indirekt me tregun e punës.