Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
Ministri Reçica takoi përfaqësuesit e Bankës Botërore
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, priti sot në takim përfaqësues të Bankës Botërore, të kryesuar nga Stefanie Brodmann. 
Temë diskutimi ishte mbikëqyrja dhe implementimi i skemës së asistencës sociale dhe mënyrave të bashkëpunimit  në mes të MPMS-së dhe Bankës Botërore. 
Ministri Reçica kërkoi mbështetje sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Qendrave për Punë Sociale të cilat së fundmi, me vendim Qeverie, janë caktuar si përgjegjëse për realizimin e testit të varfërisë.

Gjithashtu, ministri kërkoi bashkëpunim edhe rreth zgjidhjes së çështjes së grandit specifik për komuna, në atë mënyrë që të jetë i përcaktuar me ligj.
Përfaqësues të Bankës Botërore siguruan ministrin Reçica se do të mbështesin MPMS-në në të gjitha çështjet e nevojshme dhe prioritare sa i përket asistencës sociale.

Çështje diskutimi ishte edhe  punësimi  dhe ofrimi i mbështetjes për reformat për Ligjin e Ri të Punës ku u dakorduan që bashkëpunimi të orientohet në atë mënyrë, duke marrë praktikat më të mira nga vendet e zhvilluar dhe të inkorporohen në ligjin e ri të punës. Nga ministri Reçica, njoftoi të pranishmit rreth objektivit të Qeverisë për përfshirjen e sa më shumë qytetarëve në masat aktive të tregut të punës, duke zvogëluar kështu rastet e përfituesve të asistencës sociale.

Gjithashtu  u diskutua edhe për  skemat pensionale dhe nevojës së një reforme të sistemit pensional, përfshi kornizën ligjore që e rregullon atë si dhe krijimit të një baze elektronike të të gjitha dosjeve për çka ministri kërkoi bashkëpunim nga Banka Botërore.
Të dy grupet u dakorduan që deri në fund të qershorit të këtij viti, idetë e diskutuara në takim dhe mundësitë e bashkëpunimit të konkretizohen nëpërmjet veprimeve konkrete.