Publikimet
Lajmet › Publikimi i lajmeve
Abrashi nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Punësimit të Gjermanisë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe udhëheqësja e Departamentit Ndërkombëtar të Agjencisë së Punësimit në Gjermani, Kea Decker, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë së Punësimit në Gjermani.

Me këtë marrëveshje do të forcohet partneriteti ndërmjet dy institucioneve dhe njëherësh do të promovohen marrëdhënie të besueshme institucionale në zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me politikat e punësimit. Agjencia e Punësimit e Gjermanisë, do të kontribuojë me përvojën e saj 90 vjeçare të menaxhimit të politikave të punësimit dhe do të ofrojë ekspertizë të çmuar në themelimin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

Gjatë vitit 2017, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencia Gjermane e Punësimit, kanë planifikuar që të organizojnë seminare të përbashkëta, panaire të punës dhe trajnime.