Aktiviteti i MPMS-së për vitin 2009
Të arriturat kryesore të MPMS gjatë vitit 2009

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) në vitin 2009, me sukses ka përmbushur obligimet e veta sipas misionit që ka në kuadër të Qeverisë së Republikë së Kosovës. Një ndër sfidat kryesore të MPMS edhe këtë vit ka qenë ulja e shkallës së papunësisë, ofrimi i ndihmave dhe shërbimeve tjera sociale për qytetarët në nevojë, krijimi dhe kompletimi i infrastrukturës ligjore nga fushëveprimi i kësaj ministrie e aktivitete tjera konform legjislacionit në fuqi.

1. Legjislacioni
Objektivi kryesorë i agjendës legjislative të MPMS-së gjatë vitit 2009 ka qenë krijimi dhe kompletimi i infrastrukturës ligjore me akte ligjore dhe nënligjore nga fushat të cilat i mbulon kjo ministri.
Në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore të Qeverisë së Kosovës, janë hartuar, shqyrtuar dhe finalizuar këto projektligje:

• Projektligji për Punë
• Projektligji për Organizimin Sindikal në Kosovë
• Projektligji për Grevat
• Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.2003/15, për Skemën e Ndihmesë Sociale në Kosovë, dhe
• Projektligji për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të luftës së UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës.
Të gjitha këto akte ligjore janë proceduar dhe përfunduar sipas afateve kohore të përcaktuara në Strategjinë Legjislative të Qeverisë për vitin 2009. Por deri më tani në Qeveri dhe Kuvend janë shqyrtuar vetëm Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit 2003/15, për Skemën e Ndihmesë Sociale në Kosovë, Projektligji për Organizimin Sindikal në Kosovë dhe Projektligji për Grevat.

Projektligjet e përmendura aktualisht janë në procedurat e shqyrtimit dhe miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Projektligji për Punë dhe Projektligji për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të luftës së UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës janë proceduar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe në Agjencionin për Integrime Evropiane për sigurimin e deklaratave financiare dhe të pajtueshmërisë.
Gjatë vitit 2009, në Kuvendin e Kosovës janë shqyrtuar dhe miratuar dy projektligje propozues i të cilave ka qenë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale: Ligji nr. 03/L-136, për dhënien e lejes për punë dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës dhe Ligji nr. 2008/03-L-019, për aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
Për zbatimin e drejt dhe efikas të legjislacionit primar të aplikueshëm nga fushëveprimi i MPMS-së, gjatë vitit 2009 janë nxjerr 17 akte nënligjore dhe 4 marrëveshje mirëkuptimi.
Me një përkushtim të veçantë është bërë përafrimi fillestar i legjislacionit nga fusha e punësimit dhe çështjeve sociale me direktivat përkatëse të BE-së.

Krahas aktiviteteve legjislative të përmendura më lartë angazhimet e personelit ligjor kanë qenë të fokusuara edhe në ofrimin dhe sigurimin e asistencës teknike për strukturat organizative të MPMS-së dhe partneret e kësaj ministrie, bashkëpunimin dhe komunikimin e ndërsjellë me grupet e interesit për hartimin dhe zbatimin e infrastrukturës ligjore, sigurimin dhe ofrimin e asistencës teknike dhe të provave materiale për Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me kontestet gjyqësore të MPMS-së, pjesëmarrjen e kuadrit ligjor të MPMS-së në Grupet Punuese Qeveritare dhe trupat e tjerë ndër ministrorë apo ndër institucional.
2. Puna, punësimi dhe mbikëqyrja e dispozitave ligjore që rregullojnë këtë sferë
Në shtatë qendrat regjionale të punësimit të regjistruar të rinj si punëkërkues janë 17 626 punëkërkues, për gjetjen e vendeve të reja të punës janë vizituar 18 200 ndërmarrje në të gjithë sektorët ku janë gjetur 7901 vende të lira të punës, përmes procesit të ndërmjetësimit në punësim janë punësuar 6 841 punëkërkues, që krahasuar me vitin paraprak ka një rritje prej 22.40%, kurse në forma të ndryshme janë këshilluar më se 18 824 punëkërkues për punësim dhe vetëpunësim,

Për realizimin e politikave aktive të punësimit dhe ngritjen e punësueshmërisë, MPMS ka bashkëpunuar ngushtë në realizimin e një numri të caktuar të projekteve me MBPZhR, MTPT, ILO-n, UNDP- në, LUX-Development, komunat, AKB dhe me institucionet tjera vendore dhe të jashtme. Në realizimin e këtyre projekteve, për kohë të caktuar, janë angazhuar 3 215 punëkërkues, duke përfshirë këtu edhe projektin e punësimit stinor të studentëve të UP-së në Gjermani, projektin “Një banor-një fidan”, projektet e punëve publike si dhe projektin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, kurse në bashkëpunim me Agjencionin Kosovar të Biznesit është organizuar Panairi i Punësimit 2009 ku janë punësuar rreth 100 punëkërkues. MPMS në sferën e punës dhe punësimit ka hartuar këto dokumente strategjike: Strategjia e Sektoriale e MPMS-së 2009/2012; Strategjia e Punësimit 2010/2012 (Për realizimin e kësaj strategjie për vitin 2010 janë siguruar mjetet financiare).
Në sferën e aftësimeve profesionale, në tetë qendra të aftësimit profesional dhe pesë qendra mobile, gjatë vitit 2009 kanë vijuar trajnimin, në profile të ndryshme, 3 200 punëkërkues, kurse janë certifikuar 2 382 sosh.

Sa i përket mbikëqyrjes të dispozitave ligjore që rregullojnë çështjen e punës, punësimit, mbrojtjes së shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, inspektorët e Inspektoratit të Punës kanë realizuar 4 mijë e 975 kontrollime të rregullta, 281 kontrollime në bashkëpunim me organet tjera të mbikëqyrjes, mbi 1 mijë kontrollime për verifikimin e kushteve të punës për dhënien e pëlqimit për punë. Në bazë të konstatimeve janë shqiptuar 154 gjoba ndaj punëdhënësve që nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara me ligjet në fuqi, nga të cilat gjoba janë siguruar të hyra për buxhetin e Kosovës në vlerë prej mbi 186 mijë eurove, ose 84% më shumë se sa planifikimi.

3. Ndihmat sociale dhe shërbimet sociale
MPMS si mision të vetin ka edhe angazhimet në vendosjen e standardeve të duhura për shërbimet dhe mbrojtjen sociale, mbështetjen e gjerë dhe të qëndrueshme financiare të grupeve nevojtare, duke përfshirë kriteret legjitime dhe transparente.
Gjatë vitit 2009 përmes Skemës së Ndihmës Sociale u është ofruar ndihmë me mjete financiare prej 40-80 euro në muaj 35 mijë e 464 familjeve të varfra në Kosovë, pa dallim etnie, gjuhe e feje. Implementimi i kësaj skeme ka pasur një kosto prej 28. 2 milion eurove. Po ashtu në bazë të Ligjit për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, gjatë këtij viti kanë përfituar me mbështetje financiare 88 familje apo individ me nga 300 euro dhe 221 familje apo individ me nga 100 euro. Gjithsej shuma e shpërndarë për ndihma të jashtëzakonshme ka qenë 48,500 euro.

Me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të plotë të legjislacionit që rregullon sferën e ndihmave dhe shërbimeve sociale janë kontrolluar 25 qendra për punë sociale nëpër komunat të Kosovës, ku nga këto kontrollime është konstatuar se 64.4% e lëndëve kanë qenë të kompletuara me dokumente sipas kritereve, ndërsa 35,6 % janë lëndë jo komplete.
Gjatë vitit 2009 numri i familjeve në SNS është rritur për 841. Për shkak të kritereve të ligjit të SNS gjatë këtij viti janë larguar nga SNS 6 897 familje, kurse 4 142 familje për herë të parë janë futur në SNS,kurse 2,755 familje kohë pas kohe janë larguar dhe riaktivizuar në SNS.
MPMS nga janari 2009 ka filluar implementimin e Ligjit për përkrahje materiale familjeve që kujdesen për fëmijët me aftësi te kufizuara të përhershme deri në moshën 18 vjeç. Në bazë të të dhënave administrative që posedon MPMS në këtë skemë gjatë këtij viti kanë aplikuar mbi 3 300 familje, kurse deri ne dhjetor kanë përfituar mbi 2 200 fëmijë nga 100 euro në muaj për një fëmijë.

Në mbrojtjen e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe ka pasur 1 324 raste të përcjella nga vitet e kaluar, ndërsa ka 173 raste të reja të kujdestarisë, e cila është një formë themelore e mbrojtjes legale të fëmijëve pa kujdes prindëror. Po ashtu gjatë këtij viti janë realizuar 18 raste të bashkimit familjar të fëmijëve të braktisur dhe 4 raste të fëmijëve të lënë pas dore, të cilët kanë qenë të strehuar përkohësisht në strehim familjar dhe në SOS Kinderdorf. Pas dështimit të bashkimit familjar, shërbimet sociale bëjnë përpjekje për rekrutimin e familjeve potenciale për adoptim, ku gjatë këtij viti janë adoptuar 31 fëmijë. Përmes formës së strehimit familjar kanë përfituar rreth 690 fëmijë. Për fëmijët e braktisur dhe te keqtrajtuar shuma e pagesës ka qenë 150 € ne muaj, ku kanë përfituar rreth 50 fëmijë, ndërsa për fëmijët pa kujdes prindëror e të strehuar tek të afërmit pagesa ka qenë 75 euro në muaj ku kanë përfituar rreth 640 fëmijë. Për 12 muaj të vitit 2009 MPMS,përmes bankave ka shpërndarë mbi 665,000-€ për realizimin e strehimit familjar për mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve.

Raste të fëmijëve të lënë pas dore dhe të keqtrajtuar gjatë këtij viti janë evidentuar 52 raste të reja, kurse 121 raste kanë qenë të bartura nga vitet e kaluara. Fëmijët delikuent të mitur dhe me sjellje asociale kanë qenë 811 raste të reja, kurse 1 380 raste të bartura nga vitet e kaluara. MPMS përmes QPS-ve gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar, menaxhuar dhe ju ka ofruar shërbime sociale 225 viktimave të dhunës në familje në gjashtë strehimore në qytete të ndryshme dhe për këtë qëllim ka ndarë mjete në vlerë prej 90 mijë eurove.
Me qëllim të evtimit dhe parandalimit të punëve të rënda e të rrezikshme të fëmijëve janë themeluar komitetet lokale për parandalimin dhe eliminimin e punëve të rënda të fëmijëve në Gjilan, Drenas dhe Kastriot ku edhe është bërë certifikimi i anëtarëve të këtyre komiteteve.
Po ashtu ka vazhduar mbështetja financiare për OJQ ,,Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalim të Trafikimit me Qenie Njerëzore’’. Për periudhën janar- dhjetor 2009 të regjistruara në bazën e të dhënave për shërbime sociale dhe familjare janë 11 raste. Shuma e ndarë për mbështetjen me 50% nga MPMS-ja për këtë OJQ për vitin 2009 ka qenë 18,900 euro. MPMS ka trajtuar, menaxhuar dhe ofruar shërbime sociale për 20 viktima të krimeve seksuale.

Për qiftet bashkëshortore, përmes këshillimeve janë trajtuar 521 raste, kurse trajtimi i besimit të fëmijëve për prindërit e divorcuar është ofruar për 152. Mendime për Gjykatë për rastet e të miturve që hyjnë në martesë të parakohshme kanë qenë 94 raste.
MPMS-ja në veçanti ka ofruar përkujdesje institucionale 24 orësh për të gjithë personat me aftësi të kufizuar mendore ku të gjitha shpenzimet për këtë lloj mbrojtje 24 orësh janë të mbuluara nga buxheti i MPMS-së. Numri i klientëve që i marrin këto shërbime në Institutin Special në Shtime dhe në 7 shtëpi të komunitetit me kapacitetet prej 10 persona të shtrirë nëpër regjionet e Kosovës është 131 klientë të nacionaliteteve dhe gjinive të ndryshme. Po ashtu MPMS ka ofruar përkujdesje të njëjtë edhe për personat e moshuar dhe pa përkujdesje familjare, përmes Shtëpisë për persona të moshuar në Prishtinë dhe dy shtëpive të komunitetit me kapacitet 20 persona në dy regjione të Kosovës ,ku gjithsej numri i klientëve të strehuar në këto institucione është 126 . Gjatë këtij viti kanë përfunduar punimet dhe është pranuar objekti i shtëpisë së komunitetit për personat e moshuar me kapacitet 20 persona,e cila shtëpi është ndërtuar në Mitrovicë ,ku kostoja e projektit ka qenë mbi 450,000 euro.
Ka vazhduar realizimi i projektit për kthimin e personave nga vendet e treta me përfaqësues të UNHCR-it, MAPL, MPB dhe IOM. Numri i personave të kthyer nga vendet e treta ka qenë 3 717 persona, prej tyre 1 233 të kthyer vullnetarë, ndërsa 2,484 të dëbuar. MPMS ka ofruar shërbime të strehimit (akomodimit) deri në një jave për rreth 84 persona ,ndërsa shërbime të transportit deri në vendin e banimit për 104 persona.

Është nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit me KEK-un, për vazhdimin programit për shlyerjen e borxheve të energjisë elektrike për shfrytëzuesit e Skemës së Ndihmave Sociale, Skemës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës. Me këtë marrëveshje çdo familje që përfiton nga skemat e sipërpërmendura do t’i shlyhen borxhet e energjisë elektrike në lartësi deri 400 kilovat/orë në muaj.

Sipas nënshkrimit te Marrëveshjes se Mirëkuptimit nga MPMS-MAPL-MEF dhe Komunave në gjithsej 29 komuna është bërë transferi i kompetencave për ndihma dhe shërbime sociale nga niveli qendror në atë lokal, ndërsa në 4 komuna(Zveqan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Shtërpce) nuk janë nënshkruar këto marrëveshje dhe nuk është filluar me procesin e tranferit të kompetencave në këtë fushë.
Sipas kërkesës dhe Vendimit të Qeverisë, për përgatitjen e dokumentit të “Letrës së Bardhë për Politika Sociale” ka vazhduar angazhimi i grupit punues ndërministror i udhëhequr nga MPMS-së. Në muajin prill 2009 grupi ka përfunduar draftin e këtij dokumenti dhe e ka proceduar për konsultim dhe komente tek organizatat e ndryshme ndërkombëtare (B. Botërore,FMN,KE,UNDP etj). Në muajin qershor grupi ndërministror ka pranuar komentet nga FMN-ja dhe Komisioni Evropian dhe ka bërë inkorporimin e tyre në dokument, ndërsa draft-dokumenti në fund të muajit qershor 2009 i është dorëzuar Qeverisë.

4. Pensionet
Me sukses ka vazhduar implementimi i skemave ekzistuese të pensioneve. Të drejtën në pensione nga Ligji për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës.... e kanë realizuar 12 285 përfitues, prej tyre familje të dëshmorëve 2 067, invalidë të UÇK-së 2 900, familje të viktimave civile 5 079, invalidë civil të luftës 1 789, familje të të zhdukurve të ushtarëve të UÇK-së 19, familje të të zhdukurve civil 288 , kujdestarë të invalidëve të U ÇK-së me shkallë invaliditeti mbi 80% janë 57 , kujdestarë të invalidëve civil të luftës me shkallë invaliditeti 80 % janë 17, pensionet e trashëguara pas vdekjes së invalidit te UÇK-së janë 38 si dhe pensionet e trashëguara pas vdekjes së invalidëve civil të luftës janë 31 përfitues. Për këtë skemë janë shpenzuar 19 milion e 374 mijë e 720 euro, kurse për rehabilitimin shëndetësor të 416 pjesëtarëve të këtyre kategorive janë shpenzuar 62 mijë e 400 euro

Në skemën e pensionit bazë aktualisht janë 142 933 shfrytëzues të pensioneve. Të suspenduar në pagesë nga kjo skemë për shkak të moslajmërimit në administratën pensionale në nëntor kanë qenë 42 623 pensionistë. Kostoja financiare për vitin 2009 te pensionet bazike është 73.540.944 euro. Rate të zbuluara të vdekjes së pensionistëve kanël qenë 6 999 raste.
Në skemën e pensioneve kontributeve janë 29.981 përfitues. Kostoja financiare për këtë skemë ka qenë 12.104.540 euro
Në skemën e pensioneve të personave me aftësi të kufizuara janë të përfshirë 20.724 përfitues, kurse kostoja ka qenë 11.460.720 euro
Në Pensione e Parakohshme të minatorëve të Minierave “Trepça”, numri i përfituesve për vitin 2009 është 4.249, kurse kostoja financiare 2.612.503 euro.
Në skemën e pensionit të ish-pjesëtarëve të TMK-së numri i shfrytëzuesve është 418, kurse kostoja financiare 413 678 euro.
Për realizimin e të drejtës në pension dhe beneficione tjera të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sipas konventave ndërkombëtare, janë shqyrtuar dhe proceduar në shtete të ndryshme 3 480 kërkesa.

5. Investimet kapitale
Me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për punëkërkuesit dhe qytetarët në nevojë, MPMS edhe gjatë këtij viti ka vazhduar ndërtimin e objekteve për këtë qëllim. Kështu ka përfunduar ndërtimi i zyrës komunale të punësimit në Shtime dhe Besianë, aneksi në QAP të Prishtinës, objektet për banim social në Gjilan dhe Klinë, qendrat për punë sociale në Graqanicë dhe Junik, që të gjitha kanë koston financiare prej rreth 1 milion e 362 mijë eurove.


--------------------------------------------------------------------------------
Aktiviteti i MPMS-së gjatë vitit 2008
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në planin e punës për vitin 2008 dhe fushëveprimit që ka në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe gjatë këtij viti kalendarik ka vazhduar me sukses realizimin e objektivave dhe detyrimeve të saja që ka sipas legjislacionit ekzistues, që rregullon sferën sociale, atë të punës, punësimit dhe në mbikëqyrjen e dispozitave ligjore, të aplikueshme në Kosovë, që rregullojnë sferën e punës, punësimit, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.
• Legjislacioni
Me Programin Legjislativ të MPMS-së dhe Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2008, janë hartuar, shqyrtuar dhe finalizuar pesë projektligje nga fushëveprimi i kësaj ministrie:
1. Projektligji për pensionim të parakohshëm të pjesëtarëve aktiv të TMK-së, të cilët do të përfshihen në Forcën e Sigurisë të Kosovës. (i përfshirë edhe në dokumentin gjithëpërfshirës të z. Ahtisari).
2. Projektligji për punë
3. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 2-L/2 për statusin dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës
4. Projektligji për sigurimin pensional dhe invalidor në Kosovë dhe
5. Projektligji për punësimin e shtetasve të huaj në Kosovë.
Nga këto projektligje, Projektligji për punë është shtyrë për miratim, për shkak të implikimeve të larta buxhetore në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës
Për zbatimin e drejtë dhe efikas të legjislacionit primar të aplikueshëm nga fushëveprimi i MPMS-së, janë nxjerr 11 udhëzime administrative dhe 4 marrëveshje mirëkuptimi.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar përafrimit të legjislacionit të kësaj ministrie me legjislacionin e BE-së, që do të thotë se për të gjitha projektligjet e draftuara është bërë përafrimi fillestar me Acquis Communitaire.


• Investimet kapitale
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë këtij viti kalendarik në investime kapitale ka investuar me 4 milion e 318 mijë e 740 euro dhe atë në renovimin e Qendrës Rekreative për Fëmijë në Nashec (714 108,04 euro), ndërtimi i Zyrës Komunale të Punësimit në Ferizaj (259 084.00 euro), ndërtimi i Zyrës Komunale të Punësimit në Dardanë (139 462.00 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Skenderaj (616 578.97 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Drenas (475 098.00 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Graqanicë (629 457.10 euro), renovimi i ISSh dhe shtëpisë së komunitetit në Shtime (90 937.00 euro), ndërtimi i objektit të QPS në Lipjan (141 713.89 euro), ndërtimi i objektit të QPS në Vushtrri (186 818.54 euro), ndërtimi i objektit për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare në Mitrovicë (361 012.40 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Gjakovë (439 835.14 euro), ndërtimi i objektit për banim social në Dobratin (281 994.02 euro), renovimi i kulmit të QAP-QRP në Prizren (23 8892.00 euro).
• Përkujdesja institucionale për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe viktimat civile të luftës
Nga janari i këtij viti ka filluar zbatimi i plotë i Ligjit 02/L-2 në fushën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranëve të luftës dhe viktimave civile të luftës.
Të drejtën në pension deri më tani e kanë realizuar gjithsej 11 509 shfrytëzues, ndërsa mjetet e shpenzuara për pagesën e pensioneve për këtë kategori janë 17 877 712.51 €.
Është bërë ekzekutimi i vendimit të Qeverisë nr. 10/22 të datës 30.05.2008 për rehabilitim shëndetësor për 800 Invalidë të UÇK-së dhe 200 anëtarë të familjeve të dëshmorëve, në vlerë 153 000.00 € si dhe vendimin e Qeverisë nr. 03/45 të datës 14.11.2008 për ngrohje dhe ushqim për Shoqatën e Invalidëve të UÇK-së në vlerë prej 125,000.00 €.
Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes MPMS dhe OJQ-ve, për shoqatat e dala nga lufta, Shoqatën e të Burgosurve Politik, Thirrjet e Nënave, Lidhjen e Invalidëve Civil të Luftës dhe 27 Prilli 1999-Meje, janë ndarë 113 850 €.
Në Banjën e Pejës dhe të Kllokotit janë dërguar për rehabilitim 159 invalidë të luftës, ku kostoja për këtë projekt ka qenë 23 850€.
• Mirëqenia sociale
Në sferën e shërbimeve sociale një vëmendje e veçantë u është kushtuar të gjithë qytetarëve duke filluar nga fëmijët e deri tek personat e moshuar pa përkujdes familjar. Për fëmijët pa kujdes prindëror, ku bëjnë pjesë fëmijët e braktisur, fëmijët prindërit e te cilëve nuk janë gjalle, janë të pa njohur, të zhdukur, apo edhe kur prindërit për çfarëdo arsye nuk janë në gjendje të përkujdesen për ta për kohe të përkohshme, janë realizuar 11 raste të bashkimit familjar.
Për fëmijët pa kujdes prindëror e të strehuar te farefisi numri maksimal mujor i fëmijëve të strehuar ka qene 618 fëmijë. Për këtë kategori të strehimit realizohet pagesa 75 euro në muaj. Për bebet e braktisura dhe fëmijët e keqtrajtuar të strehuar te familjet e trajnuara që nuk kanë lidhje farefisnore me fëmijët, numri maksimal i strehimit mujor është 42. Në tërësi fëmijë pa kujdes prindëror e nën kujdestari janë 1 486 fëmijë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me OJQ SOS Kinderdorf për strehimin e përkohshëm të fëmijëve pa kujdes prindëror e te braktisur, ku në këtë projekt të SOS-it janë strehuar deri në 27 fëmijë në muaj, kurse në projektin Shtëpia e Bletëve janë të strehuar 4 fëmije me nevoja të veçanta e të braktisur. Shtëpia e Bletëve financohet bashkërisht nga SOS Kinderdorf dhe MPMS-ja.
Gjatë këtij viti janë adoptuar 36 fëmijë.
Në strehimoren Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve kanë kaluar 23 fëmijë të abuzuar, kurse tetë fëmijë janë aktualisht të strehuar, sepse akoma nuk janë krijuar kushtet për bashkim familjar. Poashtu janë trajtuar 1 500 fëmijë delikuent dhe 358 fëmijë me sjellje asociale. Për mbrojtjen e këtyre fëmijëve janë realizuar format e duhura të mbrojtjes, në pajtim me ligjet në fuqi. Është krijuar një partneritet i mirë me gjykata, polici, shërbimin sprovues, shkolla dhe OJQ.
MPMS-ja, ka vazhduar me monitorimin dhe angazhimin në parandalimin e punëve të rënda për fëmijët ku janë hartuar pesë forma standarde për procesin e monitorimit të punës së fëmijëve, që do të përdoren nga të gjithë partnerët që janë të përfshirë në këtë proces. Gjithashtu janë themeluar tri komitete lokale të veprimit, me 74 zyrtarë të certifikuar (Prishtinë, Prizren, Mitrovicë).
Është përgatit dhe botuar hulumtimi “Dhuna në familje 2004-2008”, gjithashtu janë hartuar projekt-propozimet Dhuna në shkolla, Narkomania, Një shoqëri pa barriera, kurse për botim është përgatit edhe broshura informative për monitorimin e punëve të fëmijëve.
Në kuadër të shërbimeve sociale MPMS-ja është e angazhuar edhe me detyra shtesë në zbatimin e Projektit për Kthimin e Personave nga Vendet e Treta. Në bazë të raporteve të sjella nga punëtorët social në terren (Aeroport ) numri i personave të kthyer dhe shërbimet e ofruara nga MPMS për vitin 2008 janë 1 535, prej tyre vullnetarë të kthyer janë 328, kurse të deportuar 1 207.
Në bazë të procedurave të prokurimit janë nënshkruar kontrata për mbështetje njëvjeçare me gjashtë OJQ, që në kuadër të tyre kanë strehimore për strehimin e viktimave të dhunës në familje. Këto strehimore strehojnë gra dhe gra me fëmijë viktima të dhunës në familje. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mbështet me mjete monetare në shumën prej 50% të shpenzimeve elementare si ushqim, veshmbathje, medikamente etj.
Qendrat për Punë Sociale në nivelin lokal gjatë kësaj periudhe kanë trajtuar, menaxhuar dhe u kanë ofruar shërbime sociale 9 viktima të trafikimit vendore.
Nëpunësit e shërbimeve sociale kanë bërë menaxhimin, trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme për 21 raste të krimeve seksuale, kurse në çrregullimet martesore ku përmes këshillimeve dhe formave tjera kanë trajtuar 157 raste të shkurorëzimeve, 63 raste të ndarjeve, 115 raste janë në procedurë.
Përkujdesja institucionale-rezidenciale për personat e moshuar dhe pa përkujdes familjar dhe për persona me aftësi të kufizuara mendore është realizuar dhe realizohet në shtëpinë bazë të personave të moshuar në Prishtinë, në shtëpinë e komunitetit në Skenderaj (për të moshuarit) si dhe në Institutin bazë në Shtime dhe në 7 shtëpitë e komunitetit: në Shtime dy, Vushtrri, Ferizaj, Deçan, Dardanë dhe Graqanicë (për personat me aftësi të kufizuara mendore).
Gjatë vitit 2008 janë funksionalizuar katër shtëpi të komunitetit, dy për persona të moshuar (Skenderaj dhe Gurakoc) dhe dy për persona me aftësi të kufizuara mendore (Deçan dhe Dardanë).
Është bërë renovimi i të gjitha hapësirave të objekteve në Institutin bazë në Shtime dhe në shtëpinë e komunitetit në Shtime në vlerë prej 100.000,00 € dhe kështu është avancuar dhe përmirësuar kualiteti jetësor për klientët e këtij instituti. Është përmbushur plani i punës lidhur me realizimin e shëtitjeve duke i nxjerr jashtë institucioneve klientët e të dy institucioneve dhe ata të shtëpive të komunitetit, gjithnjë duke punuar në sferën e avancimit dhe integrimit në komunitet të këtyre kategorive.
Numri i klientëve në të dy institucionet dhe në shtëpitë e komunitetit është gjithsej 240 dhe atë në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë dhe Skenderaj 110, kurse në ISSh dhe në shtëpitë e komunitetit 130.
Në periudhën janar-tetor 2008, numri i shfrytëzuesve të ndihmës sociale ka rënë për 3 685 familje, apo për 9.85 % dhe shuma e mjeteve financiare është zvogëluar për 231 720.00 €, ose për 10.13 % më pak. Kjo është në radhë të parë si rezultat i një sërë masash të MPMS-së për të zbatuar me konsekuencë Ligjin e SNS-së me çka ka kontribuar në largimin nga Skema e Ndihmës Sociale familjet që vërtetë nuk i kanë plotësuar kriteret për ndihmë sociale.
Bazuar në Ligjin për Skemën e Ndihmës Sociale, nr. 2003/15 të gjithë qytetarët- familjet e varfra në Kosovës, që i kanë plotësuar kriteret e Skemës së Ndihmave Sociale, pa dallim etnie, gjuhe e feje e kanë shfrytëzuar dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë ndihmën sociale. Aktualisht në listën e shfrytëzuesve të ndihmave sociale janë 34 307 familje me 149 227 anëtarë, kurse shuma e përgjithshme e paguar gjatë kësaj periudhe ka qenë 24 027 750.00 euro.
Struktura nacionale e familjeve që shfrytëzojnë ndihmën sociale në Kosovë, shprehur në përqindje duket si në vijim: shqiptarë 78.68 %, serbë 12.56 %, malazezë 0.03 %, myslimanë 1.84 %, turq 0.30 %, ashkali 3.64 %, romë 2.27 %, të pa deklaruar 0.33 % dhe të tjerë 0.34 %.
Edhe këtë vit, si edhe vitin e kaluar, janë lidhur Marrëveshje Mirëkuptimi me MEF-in dhe KEK-un, për vazhdimin programit për shlyerjen e borxheve të energjisë elektrike për shfrytëzuesit e Skemës së Ndihmave Sociale, Skemës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës. Me këtë marrëveshje parashihet që çdo familje që përfiton nga skemat e sipërpërmendura t’i shlyhen borxhet e energjisë elektrike në lartësi deri 20 euro në muaj. Aktualisht MPMS dhe KEK-u janë duke i shkëmbyer bazat e të dhënave dhe parashihet që të bëhet shlyerja e borxheve të energjisë elektrike për shfrytëzuesit e skemave të lartpërmendura.
Në muajin prill janë përgatitur objektivat e përgjithshme dhe specifike të programeve sociale ,të cilat objektiva janë përfshirë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve(KASH) për vitin 2009-2011. Gjithashtu për realizimin e këtyre objektivave janë paraqitur edhe kostot buxhetore për implementim për periudhën tre vjeçare, të cilat i janë dorëzuar MEF-it për përfshirje në kuadër të KASH-it 2009-2011.
• Puna dhe punësimi
Përmes shtatë qendrave rajonale të punësimit dhe 23 zyrave komunale të punësimit si dhe gjashtë nënzyrave janë kryer këtë aktivitete:
• Regjistrimin e 18033 punëkërkues prej tyre 7644 femra,
• Ç’regjistrimin e 116931 punëkërkuesve prej tyre femra 6276,
• Vizitat në 18200 ndërmarrje në të gjithë sektorët për gjetjen e vendeve të lira të punës dhe shikimin e nevojave për aftësime profesionale,
• Gjetje të 6050 vendeve të lira të punës;
• Punësimin e 5053 punëkërkues me ndërmjetësim në punësim;
Ndihmuar në këshillim të më se 18824 punëkërkues për punësim dhe vetëpunësim.

• Në bashkëpunim me ILO-n kanë realizuar trajnimin e stafit të QRPP dhe ZKP në fushat siç janë:
• skemat e trajnimit në punë,
• përdorimin e SIMP-it, skemat sociale,
• trajnimet për karrierë dhe të vetëpunësimi.
• Hapja Qendrës së Shërbimeve për Migrim, ku kryhen shërbimet si:
• politikat nacionale dhe
• praktikat e menaxhimit rreth migrimit,
• zhvillimi i marketingut të tregut të jashtëm të punës,
• mbrojtja e punëtorëve që migrojnë dhe shërbimet për migrantët,
• informatat e migrimit për punë dhe të dhëna rreth migrimit ,
• këshillimet rreth migrimit etj.


• Në kuadër të Programit për Gjenerim të Punësimit për vitin 2008 me UNDP-in , ILO-në është realizuar ‘Programi i Tregut Aktiv të Punës për të Rinjtë’, donacion ky i Qeverisë Norvegjeze,
• Projekti ‘Punësimi Sezonal i Studentëve të rregullt në Gjermani’,
• Projekti i ‘Punëve Publike’ për 2008;
• Projekti i ‘Pyllëzimit të Sipërfaqeve të Zhveshura në Kosovës’2008,
• Projekti i LUX-Development “Ngritja e Aftësive Profesionale në Kosovë’,
• Projekti i ‘Aftësimi dhe Punësimi i Personave me Aftësi të Kufizuara’.

‘Programi i Tregut Aktiv të Punës për të Rinjtë’
Në vitin 2008 nga ky projekt janë ndërmjetësuar dhe punësuar 480 punëkërkues ku 80 prej tyre minoritar. Projekti do të vazhdoj edhe gjatë vitit 2009.

‘Punësimi Sezonal i Studentëve të rregullt në Gjermani’
Ky projekt ka vazhduar edhe gjatë vitit 2008. Përmes këtij projekti janë ndërmjetësuar në punësim sezonal në tregun Gjerman 182 student të rregullt ku nga këta 67 femra. Punësimi i tyre është bërë për 3 muaj.

‘Punët publike 2008’
Punëkërkues të ndërmjetësuar ishin 614 punëkërkues prej nga 67 ishin minoritar në kohëzgjatje prej 1 deri në 3 muaj. Projekti do të vazhdoj edhe gjatë vitit 2009 me ç’rast është ndër e njëjta shumë.

Pyllëzimit të Sipërfaqeve të Zhveshura në Kosovës’
‘Pyllëzimit të Sipërfaqeve të Zhveshura në Kosovës’– 2008, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi janë tridhjetë (30) Nën-projekte, 874 punëkërkues të ndërmjetësuar në punësim, prej tyre, 80 minoritar në kohë zgjatje prej një (1) muaji.

‘Aftësimi dhe Punësimi i Personave me Aftësi të Kufizuara’

MPMS në bashkëpunim me UNDP-në hartuan projektin për “Aftesimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara’.
Për realizimin e këtij Projekti UNDP akordoi 6.000 €. Në kuadër të këtij projekti janë ndërmjetësuar për aftësim dhe punësim 30 punëkërkues me aftësi të kufizuara (prej tyre 22 femra dhe 3 minoritar) në DPP, QRPP dhe ZKP me orar te shkurtuar. Kohëzgjatja e projektit ishte dy (2) mujore.
• Mbikëqyrja e dispozitave ligjore që rregullojnë lëmin e punës, punësimit, sigurisë në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës
Mbikëqyrja e dispozitave që rregullojnë lëmenjtë e lartcekur realizohet përmes Trupit Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës (TEIP), ka kryer 5 929 kontrollime të punëdhënësve, ku janë përfshirë 19 119 të punësuar. Gjithashtu janë kryer 4 836 kontrollime të rregullta, 633 kontrollime inspektuese, 238 kontrollime të jashtëzakonshme, 195 kontrollime në bashkëpunim me organet tjera të mbikëqyrjes dhe 689 kontrollime për verifikimin e kushteve të punës për dhënien e pëlqimit për punë. Lidhur me gjendjen e konstatuar janë hartuar 4 889 procesverbale, 890 shënime zyrtare, janë shqiptuar 393 vërejtje (me shkrim) dhe janë nxjerr 924 aktvendime. Evidencën e punonjësve në punë nuk e mbajnë 271 punëdhënës me çka vështirësohet identifikimi i punëtorëve në vend të punës. Numri i përgjithshëm i kërkesave të drejtuara TEIP-së është 360 me shkrim, të cilat kërkesa janë trajtuar në mënyrë adekuate.
Për këtë periudhë kohore ka pasur 19 lëndime dhe 6 raste të lëndimeve me pasojë vdekjen e punonjësve në vendin e punës. Gjatë kontrollimeve është konstatuar se numri i punëdhënësve që punojnë ilegalisht është 105. Në vendet e punës janë takuar të punojnë pa kontrata të punës 1 229 punonjës, 180 punëdhënës të cilët nuk kishin lidhë fare kontrata të punës dhe pagat nuk shoqërohen me dëftesa në 301 raste.


• Pensionet

Nga janari i këtij viti ka filluar zbatimi i Udhëzimit Administrativ Nr. 11/2007, që parasheh rritjen e pensionit bazë për 35 euro, për të gjithë pensionistët që kanë qenë kontributpagues për 15 vjet, në ish-fondin pensional. Deri më tash pensionin me rritje e kanë shfrytëzuar 27 774 pensionistë.
Në listën e shfrytëzuesve të Pensionit Bazë për muajin dhjetor 2008, kanë qenë 138 847 pensionistë. Kurse shuma totale e pagesës për këta pensionistë për periudhën janar-nëntor 2008 është 65 milionë e 873 mijë e 400 euro. (Këtu janë të përfshirë edhe pensionet me rritje)
Në Skemën e Pensioneve për Persona me Aftësi të Kufizuara, përfitues të kësaj skeme janë aktualisht 20 mijë e 50 pensionistë, kurse për këtë periudhë raportuese për këtë kategori janë ndarë mjete në vlerë prej 10 milionë e 38 mijë 860 euro.
Me Skemën e Pensioneve të Parakohshme “Trepça” procedurën e udhëheq menaxhmenti i kompleksit “Trepça”, kurse monitorimin e pagesave e bënë MPMS-ja.
Përfitues në këtë skemë aktualisht janë 4 540 përfitues, kurse shuma e paguar për këtë periudhë ka qenë 2 milion e 775 mijë e 750 euro.
MPMS, gjegjësisht departamenti gjegjës për pensione ka kryer një aktivitet mjaftë të dobishëm për qytetarët e Kosovës që kanë punuar dhe kontribuuar në botën e jashtme, duke u bazuar në konventat ndërkombëtare, që janë në fuqi nga viti 1968. Përmes MPMS-së rregullimin e pensionit të pleqërisë e kanë rregulluar 1 768 qytetarë tanë, pensionin familjar 842, pensionin invalidor 661 qytetar dhe atë në shtetet Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Itali.
Me qëllim të ngritjes profesionale të të punësuarve në MPMS dhe konform kërkesave dhe ftesave që kanë ardhur nga Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP), për trajnime në fusha të ndryshme janë trajtuar të gjitha ftesat për trajnime duke bërë përzgjedhjen e nëpunësve të MPMS-së të cilët kanë vijuar trajnimet e organizuara.
• Të drejtat dhe liritë e njeriut
Aktiviteti për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, sikur edhe në dikasteret tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është kryer përmes njësisë përkatëse, duke u bazuar në UA nr. 2005/8 për përshkrimin e detyrave të Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe UA nr. 2007/4 për institucionalizimin e NjDNj, ku është bërë promovimi, avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si të stafit të MPMS gjithashtu edhe të përfituesve të shërbimeve të MPMS.

• Marrëdhëniet me publikun
Për të qenë sa më transparent me publikun Zyra për Komunikim Publik në MPMS përmes komunikatave të përgatitura për media dhe marrëdhënieve të shkëlqyeshme me media ka arritur që në mediat e shkruara të evidentoj 803 shkrime që kanë të bëjnë më MPMS-n, kurse në ato elektronike 213 shkrime. Po përmes kësaj zyre në formë ftesash, prononcimeve, njoftimeve për publikun janë evidentuar 93 paraqitje.
Në adresë të Zyrës për Komunikim Publik janë adresuar 22 kërkesa të ndryshme nga qytetarët e Kosovës, kërkesa që edhe kanë marrë përgjigje adekuate.